Shqipëri-Armeni 1-0(Shënuese: Matilda Tanushi 67’)
Formacioni i Shqipërisë U-19: Spaho, Tanushi, Maxhalaku, Iliadhi, Troka, Çoka, Mema, Borçi, Kodra, Toma, Fuçia. Trajner: Kreshnik Krepi
Kombëtarja e Shqipërisë e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi ka regjistruar fitoren e dytë në Eliminatorët e Kampionatit Europian U-19 për femra, që u zhvilluan në Shqipëri. Sot janë luajtur ndeshjet e treta dhe të fundit të Grupit B ku bën pjesë Shqipëria ku kombëtarja kuqezi u përball me Armeninë në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, duke fituar me rezultatin 1-0 me gol të shënuar nga futbollistja shkodrane, Matilda Tanushi.
Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Kreshnik Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Spaho, Tanushi, Maxhalaku, Iliadhi, Troka, Çoka, Mema, Borçi, Kodra, Toma dhe Fuçia.
Ndryshe nga ndeshja e dytë, përfaqësuesja shqiptare është vazhdimisht dominuese përballë armeneve dhe dominojnë lojën, duke krijuar raste dhe duke e spostuar lojën në pjesën më të madhe në gjysmëfushën kundërshtare. Vajzat kuqezi kanë disa raste për shënim me Tomën dhe Fuçinë që tetojnë disa herë me gjuajtje nga distanca, por pa arritur të shënojnë. Pavarësisht superioritetit në lojë pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-0.
Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtin refren me Shqipërinë U-19 që vazhdon të ngulmojë dhe në minutën e 67-të zhbllokon rezultatin. Është Tanushi e cila ekzekutoi bukur një goditje nga këndi me portierien armene Sargsyan, që nuk arrin të kontrollojë topin dhe e devijon në rrjetë. Përfaqësuesja kuqezi kalon në avantazh dhe goli u jep më shumë siguri vajzave shqiptare që vijojnë të kontrollojnë ndeshjen dhe shfaqen rrezikshëm para portës kundërshtare. Fuçia për pak shënon me një goditje nga distanca, ndërsa sërish Tanushi ka një mundësi të mirë vetëm pak metra larg portës, por gjuajtje e saj me kokë përfundon jashtë. Një tjetër rast të artë ka edhe Borçi, goditja e të cilës pritet nga portierja armene nga një distancë shumë e afërt.
Sfida mbyllet me fitoren 1-0 të Shqipërisë U-19, që duhet theksuar se bëri një paraqitje të mirë në këto eliminatore duke regjistruar dy fitore dhe duke dhuruar futboll të bukur.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Rumania mundi Letoninë me rezultatin 1-0 me golin e shënuar nga Horvath në minutën e 10-të. Në përfundim të ndeshjeve të grupit, Rumania renditet e para me 9 pikë dhe kualifikohet për në fazën tjetër, ndërsa Shqipëria renditet e dytë me 6 pikë e ndjekur nga Letonia me 3 pikë dhe Armenia në vendin e fundit me 0 pikë.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 tetor në stadiumet “Elbasan Arena” dhe “Egnatia Arena” në Rrogozhinë. Si gjithmonë, FSHF ka siguruar një organizim shumë të mirë të ndeshjeve të grupit duke përmbushur pritshmëritë e UEFA-s.
Eliminatoret e Europianit U-19 për femra
Grupi B
Armeni – Shqipëri 0-1
Shënuese: Sargsyan (ag) 67’
Letoni – Rumani 0-1
Shënuese: Horvath 10′