Monday, November 25, 2024

(Pas ndeshjes) Trajnerët Çela dhe Bellai analizojnë ndeshjen Kastrioti 3-0 Bylis

Lexo

Kastrioti arriti të fitonte 3-0 kundër Bylisit, ndeshje e vlefshme për javën e 10-të të Superiores. Pas takimit foli trajneri Emiliano Çela i cili u shpreh i lumtur me 3 pikët e marra në këtë sfidë të ditës së sotme. Çela deklaroi për Oversport:

“Për mua e rëndësishme është fitorja. Se erdhi me një gol apo tre gola. Okej është më mirë me tre gola për moralin. Ishte një nxerrje dufi nga ana e ekipit. Morëm një humbje të pamerituar me Laçin. Kemi punuar me kokën poshtë. I lamë alibitë. U fokusuam te puna, te vetja e tyre.

Morbeck? Menduam të fusnim Ajazin sepse është shqiptar dhe më kupton më mirë në disa momente. Ne kishim analizuar Bylisin. Në krahun e majtë ishin më të rrezikshëm. Menduam të ishim agresiv në ato linja, ia dolëm. Goli i parë na ndihmoi shumë sepse ekipi pati një shkarkim. Pati lirshmëri për të luajtur me topin. Na u bë më e lehtë.

Humbja e sezonit të shkuar? Ajo humbje tashmë është hipotekuar nga ana ime. E kam thënë dhe në atë kohë që nuk ishte ekipi im. Kështu që këtë ndeshje e vlerësuam shumë. Ishin lojtarët që dua të përfaqësojnë Kastriotin. Patjetër që futbolli nuk luhet me dufe dhe inate. Futbolli është një sport që duhet të jetë paqësor. Humbjet dhe fitoret përjetohen në masa shumë të larta.

Përmirësimi? Të them të drejtën jam i kënaqur. Patjetër që duhet të punojmë më shumë në zgjidhjen e aksioneve, në kapjen e linjave të ndërmjetme. Këtu kanë qenë problemet tona. Mendoj që tani jemi në proçes pune. Kur Bylis u hap, patëm rastet tona. Por, s’jam i kënaqur sepse mund të kishim zgjidhur më mirë. Ekipi është në proçes. Shpresoj që të rrijnë me këmbë në tokë. Të bëjmë atë që kemi bërë dhe të pëmirësohemi. Vjen një moment si me Laçin, dhe vetvetiu ekipi futet në trysni.

Gati për një ekip titulli? Kësaj pyetje është e vështirë t’i përgjigjesh. Unë dua akoma të punoj dhe të mësoj. Jam ende i uritur, të mësoj më shumë për këtë profesion. Është fat për ne që lamë futbollin dhe jemi ende afër fushës. Këtu kemi kaluar momentet më të bukura të jetës. Më duhet të punoj, më duhet të respektoj këtë klub që më dha këtë mundësi. Ndihem me fat sepse rrallëherë vijnë këto mundësi. Unë isha pa eksperiencë. Për momentin po eci mirë, po punoj mirë”, tha ai.

Trajneri i Bylisit, Arjan Bellai, ishte i mërzitur për pikët e lëna në këtë takim. Pas 4 javëve rresht, kjo ishte humbja e 4-tërt për mallakastriotët që duken se janë në krizë. Në fjalën e tij për Oversport, tekniku i ballshiotëve deklaroi:

“Sigurisht që pamë një skuadër tjetër. Çdo javë punojmë nga ana psikologjike. S’e di nëse ka ndikuar kjo situatë e krijuar ndaj nesh. Sot e merituam plotësisht humbjen. Unë flas drejtë. S’kemi treguar karakterin e duhur. Po punojmë me psikologjinë e futbollistëve, sepse shkojmë në ndeshje sikur e dijmë se çfarë do të na presë. Sot u deshën 7 minuta për VAR-in. E pashë dorën e Kaçorrit, me kaq hollësi sa e pashë, mund të shoh edhe një mbajtje të futbollistit të Krujës. Unë jam vetë profesor në futboll. E ka fare të qartë që lojtari i Krujës mban lojtarin tonë. Ankohemi gjithmonë, por s’e bëjmë kot. Sot e meritonim humbjen sepse s’ishim ai ekip që kemi qenë.

Largim? S’kam pse. Unë flas çdo ditë me presidentin. Lojtarët i kam të shkëlqyer. Fajin e kam unë për këtë humbje. Duhet të shikoj se kush është më i lodhuri. Edhe në këtë ndeshje u desh ndërhyrja e katërt që të jepet karton. Ne na ndodh e kundërta. Në minutën e parë na jepet direkt karton. Kjo nuk më pëlqen. Unë e thashë që nuk më pëlqeu as nxehmja e ekipit. I pashë, nuk e di. Deri dje ishin shkëlqyer. Duhet të marrin diçka përsipër edhe lojtarët. Për këtë humbje e kam unë plotësisht fajin, jo lojtarët”, përfundoi ai.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img