Vllaznia-Barleti Volej 3-1
(25-12, 23-25, 25-22, 25-21)
Në harkun kohor të një jave, Barleti Volej është mysafir në Shkodër për t’u ndeshur me Vllazninë vendase. Një javë më parë, për javën e shtatë të Kampionatit Kombëtar dhe këtë fundjavë për Kupën e Shqipërisë.
Që të dy ndeshjet kanë një përfundim, 3 me 1 në favor të skuadrës vendase, Vllaznia. Në të dy ballafaqimet, lufta e fortë sportive dhe rivaliteti kanë qënë të paranishëm, ku për hirë të së vertetës, Vllaznia nuk e ka pasur aspak të lehtë marrjen e fitores.
Ndryshimi i vetëm është që në ndeshjen e parë ishte Barleti Volej që e nisi me fitore setin e parë, 21-25, ndërkohë që më pas ishte Vllaznia që u kundrapërgjigj me fitimin e tre seteve radhazi: 26-24, 25-12 dhe 25-11. Ndërkohë, në ballafaqimin e së premtes për Kupë, Barleti Volej fitoi setin e dytë 23-25, ndërkohë që i pari, i treti dhe i katërti u fituan nga Vllaznia, përkatësisht 25-12, 25-22 dhe 25-21.
Me këtë fitore, e pesta radhazi përfshirë edhe ato të kampionatit, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha dhe Dorian Tafa, duket se është vënë në rrugë të mbarë.
Pozitive për Vllazninë, bazuar edhe në atë që deklaroi pas ndeshjes, trajneri Besnik Lisha, është se për pjesën tjetër të sezonit, skuadra kuqeblu është në pritje të përforcimeve me volejbollisteve të huaja. Ndërkohë, duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme, pritet t’i bashkohen edhe dy volejbollistet kuqeblu, Daniela Kodra, e cila në fillim të sezonit u largua në Itali, si dhe kapitenia e skuadrës, Klodeta Zhivani, edhe kjo e larguar në fillim të sezoni për mosmarrëveshje me drejtuesit kuqeblu.
(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia-Barleti Volej femra, 3-1, seti i katërt