Vllaznia-Flamurtari 2-3
Vllaznia-Flamurtari, takim ky i luajtur këtë fundjavë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ka qënë padyshim ndeshja më e rëndësishme e javës së tretë të Kampionatit Kombëtar të Futsalës shqiptare.
Të dyja skuadrat vinin në këtë sfidë me nga dy fitore duke kërkuar shkëputjen në kreun e renditjes. Një gjë të tillë e realizoi Flamurtari, i cili në përfundim të ndeshjes doli fitues me rezultatin 2-3.
Një sukses ky, që për Flamurtarin realizohet me kontributin e dy shkodranëve në formacionin vlonjat, si Semir Gokaj dhe Besfort Gjoklaj, të cilët për hirë të së vertetës ishin më të mirët në radhët e skuadrës kundërshtare.
Por, sa i përket ecurisë së takimit, duhet thënë se Vllaznia e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj bëri një paraqitje shumë të mirë. Kuqeblutë ushtruan presion në portën vlonjate gjatë të gjithë takimit, por nga ana tjetër golat i shënoi Flamurtari, dy prej të cilëve mbajnë firmën e shkodranit Gogaj.
Nga ana tjetër, Vllaznia arriti të shënoi dy herë me Fatjon Kirin dhe Senad Lekajn, por me rastet e panumërta të krijuara në portën vlonjate, kuqeblutë duhet të shënonin më shumë, dhe pse jo, për ta fituar të gjithë ndeshjen.
Megjithatë, e rëndësishme është që tifozëria e pranishme në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” shijoi një ndeshje spektakël. Që të do të thotë se këtë sezon sportiv, Kampionati Kombëtar i Futsalës pritet të jetë më interesanti i viteve të fundit. Vetëm tre javë kampionat janë zhvilluar dhe ballafaqimet mes skuadrave pjesëmarrëse kanë qënë tepër të forta për nga lufta sportive, ku rivaliteti dhe emocionet i ka shoqëruar skuadrat deri në mbyllje të ndeshjeve.
Dhe, pa as më të voglin dyshim duhet thënë se bukurinë këtij kampionati ia ka shtuar Vllaznia e Shkodrës, e cila me pjesëmarrjen e saj pas disa viteve pauze në konkurim e ka rritur jashtë mase konkurencën.
Një gjë të tillë e kanë pohuar edhe vetë kundërshtarët, ku përmes deklaratave të trajnerëve të tyre e konsiderojnë Vllazninë si një nga skuadrat më të forta të kampionatit, pse jo edhe pretendente për titullin kampion.
(Video) Pjesa e dytë e ndeshjes së Futsalës, Vllaznia-Flamurtari 2-3(Java e tretë e Kampionatit Kombëtar)
Gaspër MARKU