Presidenti i Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija është shpallur “Personazhi i Vitit” për 2020-tën në fushën e sportit. Numri një i klubit kuqeblu ka arritur të zërë vendin e parë në anketën e hapur nga portali sportiv News Sport ku në garë janë përfshirë një numër i madh emrash të njohur, mes të cilëve, sportistë, trajnerë dhe president të klubeve të futbollit shqiptar. Kreu i klubit të Vllaznisë në futboll femra ka marrë numrin më të madh të votave duke lënë pas trajnerin kampion Emanuel Egbo, edhe ai me preferencë jo të pakta për suksesin e arritur me Tiranën kampione. Presidenti Matija është vlerësuar maksimalisht nga sportdashësit shqiptarë me 23% të votave, 3% më shumë se Egbo i vendit të dytë, ndërkohë që në vendin e tretë është renditur talenti i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla me 12% të votave.
Lazër Matija është një emër shumë i njohur, sidomos në botën e futbollit të femrave, ku me mirëmenaxhimin që i ka bërë skuadrës së tij Vllaznia që financon prej shumë vitesh ka arritur një sërë suksesesh. Për rreth dhjetë vite, Vllaznia e futbollit të femrave është absolutja e futbollit shqiptar me fitimin e të gjithë trofeve të vitit, ndërkohë që suksesi ka qënë i dukshëm edhe në arenën ndërkombëtare duke kaluar ture në Ligën e kampioneve të Europës, sidomos me përfshirjen mes 32 skuadrave më të mira europiane.