U konsiderua si një “bombë” në mer katon e verës te Vllaznia, por befas një nga fantazistët më të mirë të kampionatit malazez në vitet e fundit, u kthye në një lojtar stoli te shkodranët. Kristjan Vulaj nuk luan me fanellën kuqeblu në kampionat që prej humbjes 1-2 në Shkodër ndaj Partizanit, më 7 tetor 2022.Trajneri Mirel Josa nuk e ka preferuar asnjëherë si titullar në kampionat dhe në pesë takime të luajtura nga 15 javë në total, ka qenë në fushë si zëvendësues vetëm 109 minuta.
Por çfarë ka ndodhur me Vulajn dhe pse ai është harruar prej kohësh nga Josa? Fantazisti 24-vjeçar foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke reaguar për herë të parë për situatën ku ndodhet. Largimi në janar duket i pashmangshëm, por në mes është kontrata, e cila u firmos për tri vite nga lojtari i lindur në Tuz.
Kristjan, erdhët me shumë bujë te Vllaznia në verë, por pas 15 javësh kampionat, rezulton se keni luajtur vetëm në pesë ndeshje dhe asnjëherë si titullar. Jeni i zhgënjyer për këtë?
Po, e vërteta është që erdha me bujë në Shkodër, dhe klubi bashkë me tifozët, prisnin shumë prej meje. Në të njëjtën kohë unë isha shumë i motivuar për këtë eksperiencë te Vllaznia. Mirëpo, të them të drejtën nuk e prisja aspak të ishte kjo situatë. Pra, që gjithçka do të zhvillohej në këtë mënyrë dhe unë të mos aktivizohesha. Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi dhe tashmë nuk mund të kthehemi më pas.
Ju nuk po luani prej më shumë se dy muajsh qoftë edhe një minutë, a keni biseduar me trajnerin apo drejtuesit për këtë situatë?
Shikoni, unë kam ardhur në Shkodër për të luajtur dhe të jem titullar, për të ndihmuar sa më shumë ekipin. Të jem i sinqertë, që në fillim të kampionatit, ndjesia ishte si të isha në shtëpinë time. Mirëpo, mesa duket nuk jam përshtatur me skemat e trajnerit dhe prandaj nuk fitova minuta…
Vetë Mirel Josa kur është pyetur për mosaktivizimin tuaj, ka thënë se nuk ka ndërmend ta ndërrojë skemën për Vulajn. Ju vetë e ndieni veten titullar në këtë skuadër?
Vllaznia është një ekip shumë i mirë dhe gjithsecili futbollist mundohet të fitojë vendin e titullarit për të luajtur dhe pasur vazhdimësi. Normalisht që edhe unë për vete mendoj që duhet të luaj, por në fund të fundit është trajneri që vendos për formacionin. Unë jam profesionist dhe nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdoj të stërvitem dhe të pres shansin tim.
Çfarë do të bëni në janar, do të largoheni apo do të vazhdoni të respektoni kontratën që keni me klubin e Vllaznisë?
Sigurisht që duhet të flas me klubin dhe së bashku do të shohim se çfarë është më e mira për të dyja palët. Nuk e di çfarë do të ndodhë në janar…