Monday, November 25, 2024

Situata tek Vllaznia-Presidenti Xhaferi takohet me stafin teknik. Josa nuk lëviz nga drejtimi, objektivat për trofe qëndrojnë në fuqi!

Lexo

Tek Vllaznia nuk ka asnjë lajm të ri për largimin e trajnerit Mirel Josa. E themi këtë, sepse gjatë dy ditëve të fundit kanë qarkulluar komente, kryesisht nga grupime tifozësh në rrjetet sociale për një dorëheqje të tij nga drejtimi i skuadrës kuqeblu.

Por, përkundër këtyre lajmeve, Josa vazhdon të jetë në krye të skuadrës shkodrane së bashku me kolegët e tij, Vioresin Sinani, Auron Miloti dhe Ideal Lekiqi. Që do të thotë se në këtë mes nuk ka asnjë të re në lidhje me një largim të mundshëm të tij.

Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se stafi teknik me në krye trajnerin Josa kanë pasur një takim të zgjeruar me presidentin e Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, ku është diskutuar për ecurinë e skuadrës në vazhdimësi.

Nga sa bëhet e ditur, në një minializë që i është bërë pjesës së parë të sezonit futbollistik, krahas anëve pozitive, Xhaferi ka pasur rezervat e tij edhe për disa ndeshje jo të mira ku janë lënë edhe pikë të rëndësishme për skuadrën. Ndaj, ka kërkuar garanci nga stafi teknik që me rifillimin e kampionatit, Vllaznia të jetë gati për marrjen e rezultateve pozitive.

Ndër të tjera, Xhaferi ka konfirmuar trajnerin Josa në krye të skuadrës, duke hedhur poshtë kështu zërat për një largim të mundshëm të tij, ndërkohë që ka kërkuar garanci për realizimin e objektivave të fillim sezonit për fitimin e trofeve.

Në këtë mënyrë, kuqeblutë e Vllaznisë kanë vijuar me normalitet edhe sot proçesin stërvitor, ku në ndryshim nga një ditë më parë që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, këtë radhë stërvitja është spostuar në tapetin e “Reshit Rusit”.

Sipas informacioneve nga klubi kuqeblu, Vllaznia do të vijojë të stërvitet edhe nesër, duke qënë edhe seanca e fundit për vitin 2022, ndërkohë që më pas janë rezervuar dy ditë pushim, data 31 dhjetor dhe 1 janar 2023, për tu rikthyer me datë 2 sërishmi në stërvitje.

Aktiviteti zyrtar i kategorisë Superiore të futbollit shqiptar nis me datë 14 janar me ndeshjet e javës së 16-të, ku për Vllazninë kalendari ka rezervuar një përballje të rëndësishme, atë me Partizanin kryesues në transfertë. Është kjo arsyeja që stafi teknik me në krye trajnerin Mirel Josa vazhdon ta mbajë skuadrën në tonus në mënyrë që përballja me të kuqtë ta gjejë skuadrën në një formë sa më të mirë sportive.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img