Ora 14:00 e ditës së nesërme ballafaqon në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllazninë dhe Kastriotin e Krujës. Ndeshja në fjalë është miqësore në kuadrin e përgatitjeve që po bëjnë skuadrat e kategorisë Abissnet Superiore për pjesën e dytë të sezonit.
Dy skuadrat në fjalë janë ndeshur për herë të fundit tre javë më parë në stadiumin e Kamzës në kuadrin e javës së 14-të të kategorisë Superiore ku krutanët me trajnerin Ardian Mema debutues fituan ndaj Vllaznisë me rezultatin 1 me 0.
Që do të thotë se miqësorja e nesërme është e një shkalle vështirësie jo të vogël, ndaj në këtë aspekt, edhe për Vllazninë kjo miqësore vlen shumë, kur vetëm një javë më vonë, do të luanë në kryeqytet supersfidën me Partizanin kryesues të kampionatit.
Për Vllazninë, rezultati i sfidës ndaj të kuqve të Partizanit vlen shumë, kur dihet se skuadra kryeqytetase kryeson kampionatin me shtatë pikë më shumë sesa Vllaznia në klasifikim. Së bashku me ditën e sotme, kuqeblutë kanë konsumuar katër seanca stërvitore, ndërsa nesër do të jenë në fushë për tu ndeshur me Kastriotin e Krujës.
Kjo është miqësorja e vetme dhe e fundit në këtë minifazë përgatitore për Vllazninë, dhe ndaj Josa, ka rastin më të mirë për të hedhur në fushën e lojës titullarët kryesorë që ka planifikuar të aktivizojë nga minuta e parë në formacionin anti-Partizani.
Në krahasim me javët e fundit të vitit 2022, ku mungesat për arsye dëmtimi ishin të shumta, tashmë situata duket më komode. Megjithatë, ajo që e shqetëson më tepër trajnerin Mirel Josa është vonesa e rikuperimit për mbrojtësin e qëndrës Darku Bulatoviç, ndërkohë që kolegu i tij Juriç tashmë është rikthyer në formacion. Sa i këtij këtij reparti, drejtuesit kanë deklaruar se po kërkojnë një alternativë serioze për të fuqizuar skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.
Ndonëse nuk ka diçka zyrtare, për këtë repart, dhe pikërisht për qëndrën e tij, pritet rikthimi i shqiptaro-maqedonasit, Mevlan Adili. Futbollisti në fjalë, ka mbyllur kontratën ku luante jashtë Shqipërie, dhe sipas informacioneve Vllaznia ka pasur kontakte për një rikthim të mundshëm në Shkodër.