Një lajm i mirë vjen për ekipin e parë të Tërbunit të Pukës. Me iniciativën e trajnerit të njohur shkodran Ardit Mani, i cili njëherazi luan edhe rolin e vidioanalistit pranë Klubit të Futbollit Tërbuni, janë krijuar ekipet e grup moshave që mund ta furnizojë Tërbunin.
Drejtuesit e Tërbunit dhe të Bashkisë Pukë, janë të kënaqur sepse kanë gjetur njeriun e duhur që është një profesionist, djaloshi shkodran, Ardit Mani, i cili ka vite dhe eksperiencen e duhur për të drejtuar akademi cilësore.
Me këta të rinjë të Akademisë Tërbuni, që janë të grup moshave, 13-15 vjeçare, trajneri Mani ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, një me Veleçikun, të cilën e ka fituar me rezultatin 2-0, dhe një tjetër me 15 vjeçarët e Vllaznisë, ndeshje kjo e mbyllur në barazim, 0-0.
Ekipet e Akademisë Tërbuni marrin pjesë në Ligën Amatore në zonën e Veriut dhe ku drejtuesi Mani ka si objektiv dhe është i motivuar që në këtë vit të konsolidojë akademinë dhe të rrisë ekipet pjesmarrëse të moshave të ndryshme në Ligën Amatore.
Ekipi U-15 i Akademisë Tërbuni, pjesë e Ligës Amatore, i drejtuar nga traineri Ergys Mehja, këtë javë ka zhvilluar ndeshjen e rradhës kundër Arrës së Madhe dhe ka fituar me rezultat te thellë 5-1, ndërkohë që edhe ekipi U-13 i drejtuar nga trajneri Ardit Mani ka fituar 3-1 kundër ekipit Arra e Madhe.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, drejtuesi i Akademisë Tërbuni, Ardit Mani, shpreh kënaqësinë për punën e mirë dhe serioze që po zhvillohet në Akademinë që ai ka marrë përsipër të drejtojë. Ndërkohë që tregon edhe për objektivat që ka, duke bërë të ditur afrimin e 2 ose 3 lojtarëve të Akademisë në ekipin e parë të Tërbunit.
Fillimi i punës në Akademinë e Futbollit Tërbuni, duket mjaft i mirë, dhe nëse do të ecet me këto ritme, ka mundësi që shumë shpejt, ekipi i parë i Tërbunit të mos ketë nevojë për të marrë futbollistë nga ekipet e tjera, sepse pritet të ketë në dispozicion prurjet nga Akademia Tërbuni.
Gani Pemaj