Federata Shqiptare e Futbollit dhe Terre des hommes nënshkruan këtë të enjte një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve në futboll. Marrëveshja u nënshkrua paraditen e sotme përmes një ceremonie zyrtare të organizuar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Drejtoresha Kombëtare e organizatës ‘Terre Des Hommes’ në Shqipëri, Enkelejda Kallçiu.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe organizatës ‘Terre des hommes’ është në përputhje me inisiativën e UEFA-s për të zhvilluar politikat e mbrojtjes së fëmijëve në nivel kombëtar për secilin nga 55 anëtarët e saj, teksa vjen pas hartimit të dy dokumentave të rëndësishme si: politika e mbrojtjes së fëmijëve në futboll dhe kodin e etikës. Bashkëpunimi mes dy organizatave ka nisur tashmë me trajnimin e stafit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa këto trajnime do të shtrihen edhe në akademitë e klibet e ndryshme të futbollit në Shqipëri.
Në prononcimin për mediat e pranishme gjatë ceremonisë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e konsideroi shumë të rëndësishme këtë marrëveshje bashkëpunimi që konsiston në mbrojtjen e fëmijëve në futboll nga fenomene negative të ndryshme. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi znj. Kallçiu për këtë bashkëpunim, ndërsa nënvizoi se është shumë i rëndësishëm krijimi i një ambienti të përshtatshëm ku fëmijët të luajnë.
‘Më lejoni që në emër të komunitetit të futbollit të falënderoj zonjën Enkelejda Kallçiu, përfaqësuesen e një organizate shumë të rëndësishme për shoqërinë në përgjithësi në Europë apo në botë, ‘Terre des hommes’ . Misioni i tyre është mbrojtja e fëmijëve në të gjitha aspektet dhe fushat e jetës. Organizata ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me futbollin europian, me institucionin e saj drejtues, UEFA-n, dhe këtë bashkëpunim e ka shtrirë edhe në të gjithë federatat anëtare të UEFA-s në Europë, në të njëjtën mënyrë edhe në Shqipëri. Pavarësisht se marrëveshja firmoset sot mes FSHF-së dhe organizatës ‘Terre des hommes’, bashkëpunimi ka filluar tashmë me informimin, ndërgjegjësimin dhe trajnimin e administratës së Federatës së Futbollit nga organizata, se si ne do ta implementojmë dhe se si ne do ta përçojmë mbrojtjen e fëmijëve në futboll. Dihet që futbolli i fëmijëve është nga prioritetet tona dhe është shumë e rëndësishme që fëmijët që luajnë futboll të jenë të shëndetshëm, të mbrojtur nga bullizimi, fenomene negative që mund të na rrethojnë. Dhe kjo do një punë profesionale, që fëmijët jo vetëm të luajnë, por edhe të ndihen mirë dhe të respektojnë njëri-tjetrin.
Në marrëveshjen që ne do të firmosim parashikohen trajnimet jo vetëm të stafit të Federatës, të cilët më pas bashkë me ekspertët e organizatës do të përçojnë më pas dijet në të gjitha akademitë e klubet e futbollit në Shqipëri, për të parandaluar raste apo për të ‘kuruar’ nëse ka raste të bullizimit apo të fenomeneve të tjera negative që cënojnë jetën e fëmijëve që luajnë futboll. Edhe njëherë do të doja të falënderoja përfaqësuesen e organizatës në Shqipëri, znj.Enkelejda për këtë marrëveshje, pasi është shumë e rëndësishme që ne të krijojmë një ambient të përshtatshëm, ku prindërit të kenë besim për t’i sjellë fëmijët të luajnë futboll” – tha presidenti Duka në fjalën e tij.
Ndërkaq, edhe drejtoresha e organizatës ‘Terre des hommes’ mbajti një fjalë përshëndetëse përpara nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa nënvizoi vlerat e bashkëpunimit mes FSHF-së dhe TDH-së. Znj. Kallçiu vlerësoi angazhimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ngritjen e mekanizmit tashmë, për ta çuar këtë projekt përpara dhe për të ndërgjegjësuar akademitë e klubet e ndryshme në Shqipëri, por jo vetëm, edhe fëmijët, prindërit e palët e treta për të mbrojtur fëmijët nga fenomenet negative e për të krijuar mjediset e përshtatshme ku të vegjëlit të luajnë futboll.
“Mendoj që vlerat e këtij bashkëpunimi në radhë të parë shkojnë për të përgëzuar Federatën Shqiptare të Futbollit sepse përkundrejt standardeve të vendosura nga UEFA dhe përgjegjësisë që ekziston për të siguruar masat, politikat, strategjitë, për mbrojtjen e fëmijëve në futboll, po ecet me ritme të shpejta për ta vënë këtë në jetë, për të përparuar sa më mirë dhe me efektivitet dhe efiçencë, sepse gjithçka kur bëhet fjalë për politika të këtij lloji mbetet dhe duket në zbatim, sesa në pasjen e dokumentave strategjikë. Dhe pikërisht këtu shkon përgëzimi, sepse FSHF-ja ka ngritur mekanizmin e saj, ka përcaktuar personat përgjegjës që do të jenë në rang kombëtar, por edhe në rang lokal apo rajonal. Kemi kënaqësinë që të mund të kontribuojmë si organizatë në kontribuimin me ngritjen e kapaciteteve me të gjithë personat që janë përgjegjës. Kjo do të shtrihet gjerësisht, në mënyrë që të ketë një ndërgjegjësim përmes trajnimeve. Sigurisht duhet një angazhim i madh, jo vetëm në termat e trajnimit dhe ndërgjegjësimi duhet të shkojë paralel edhe me fëmijët e prindërit dhe palë të treta” – tha mes të tjerash znj. Kallçiu.
(Video) Ceremonia e marrëveshjes së bshkëpunimit mes FSHF & Terres des hommes për mbrojtjen e sigurinë e fëmijëve në futboll.