Është shfaqur sot për herë të parë dokumentari me titullin “I denjë për Tiranën”, kushtuar ish-futbollistit të famshëm të Tiranës, Skënder Hyka, e që mblodhi në Shtëpinë e Futbollit personalitet të njohura të futbollit ndër vite dhe personazhe të jetës publike.
Dokumentari kushtuar ish-lojtarit të mirënjohur kryeqytetas është realizuar me regji të Osman Mulës dhe me mbështetjen e FSHF-së nën kujdesin e veçantë të Presidentit Armand Duka. Përveç miqve, kolegëve, zyrtarëve më të lartë të FSHF-së dhe personaliteteve të futbollit shqiptar e artit, të pranishëm në promovimin e këtij dokumentari ishin edhe familjarët e Skënder Hykës.
Në fillim të ceremonisë, Presidenti Duka shprehu kënaqësinë që nëpërmjet realizimit të këtij dokumentari të gjithë do të kenë mundësinë të njihen me historinë e këtij ish-futbollisti të famshëm. Ai tha se Skënder Hyka ishte një mik i mirë me karakteristika të jashtëzakonshme që kishte vlera të mëdha për të gjithë shoqërinë.
“Përmes një dokumentari të realizuar me shumë dashuri nga Osman Mula ne rikujtojmë disa nga ngjarjet apo historitë për ish-futbollistin, trajnerin, zyrtarin, familjarin e babanë shumë të mirë, mikut tonë të përbashkët Skënder Hyka. Ai ka qenë një personazh i veçantë i botës së futbollit jo si gjithë të tjerët me shoqëri e miqësi nga të gjitha fushat e jetës e kryesish nga arti. Për mua personalisht Skënder Hyka ka qenë një shok e një mik shumë i mirë, me karakteristika të jashtëzakonshme, gjithmonë në mbështetje dhe shumë human. E kujtoj me shumë dashuri në fakt dhe po me kaq dashuri jemi nisur për ta realizuar këtë dokumentar në kujtim të një miku. Hyka ka qenë një njeri me kontribute të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar. Veçanërisht familjarët e tij duhet të jenë krenarë për atë çfarë ka lënë Skënder Hyka pas, jo vetëm për futbollin, por edhe për shoqërinë shqiptare”, – tha Presidenti i FSHF-së në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së promovimit.
Regjisori i dokumentarit, Osman Mula, tha se ndihej krenar që mundi të realizojë këtë vepër për një nga miqtë e tij më të mirë, por që ishte një personalitet i respektuar në të gjitha fushat e jetës.
“Është kënaqësi të jem mes kaq shumë personalitetesh. Jam krenar që arrita të bëj këtë dokumentar për Skënder Hykën dhe doja t’i ktheja respektin e madh që kisha për mikun tim e shokun e të gjithëve. Kur takoheshim unë e pyesja për futbollin, ndërsa ai më pyeste për festivalet, por në bisedat tona flitej për gjithçka që kishte të bënte me jetën sociale. Edhe këngën e festivalit unë dhe Luan Zhegu nuk e dërgonim pa e dëgjuar më parë Skënderi. Falënderoj shumë Presidentin Duka që na mbështeti dhe na mundësoi realizimin e këtij dokumentari, ashtu si edhe stafin që punoi e që përgatiti këtë material. Kemi shumë figura të mrekullueshme të sportit për të cilat duhen bërë dokumentare në mënyrë që brezat e rinj të njihen me historinë dhe të krijojnë ideale”, – theksoi Osman Mula.
Një tjetër mik i ngushtë i Hykës, regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktor i mirënjohur shqiptar, Bujar Kapexhiu u ndal veçanërisht edhe në vlerat njerëzore që kishte ish-futbollisti i njohur i Tiranës dhe tregoi kujtime të para shumë viteve.
“Është kënaqësi të flasësh për ata që kanë lënë gjurmë më futbollin shqiptar. Në radhë të parë nuk po flasim thjesht për një sportist të mirë e të suksesshëm, por për një njeri të mirë, një shok të mirë, një familjar i shkëlqyeshëm dhe kjo e bënte shumë të dashur për shoqërinë tonë, përveç lojës së tij të mrekullueshme. Skënderi ishte dhe shumë zemërmirë. Sa herë që shkonte jashtë me klubin u sillte nga një dhuratë të vogël shokëve dhe unë sot kam veshur kravatën që ma ka dhuruar Hyka në vitet ‘70. Kur kthehej nga jashtë ne me shokët mblidheshim dhe bisedonim fshehurazi pasi ai na tregonte se si ishte bota perëndimore. Shoqëria e Tiranës ishte një shoqëri e jashtëzakonshme në ato kohë”, – tha Kapexhiu, ndërsa kantautori i mirënjohur Luan Zhegu shfaq i emocionuar teksa fliste për mikun e tij Skënder Hyka dhe shprehu privilegjin që e kishte njohur.
“Kam qenë shumë i privilegjuar që kam njohur Skënder Hykën dhe që isha shok i tij. Njohja me Skënderin ka qenë në vitet kur ai luante me Tiranën. Unë kam qenë në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ kur e kam parë për herë të parë Skënderin duke luajtur. Një talent për të cilin nuk është nevoja të flas, pasi e njohin të gjithë. Kemi qenë shumë shokë dhe flisnim shumë për ndeshjet bashkërisht, edhe ndeshjet e Europianëve apo Botërorëve i shikonim me rrethin ton shoqëror. Skënderi mbi të gjitha ishte edhe familjar i mrekullueshëm dhe kishte shumë humor”, – theksoi Luan Zhegu.
Pas fjalëve përshëndetëse u shfaq për herë të parë edhe dokumentari me shokët dhe miqtë e tij që risjellin kujtimet dhe emocionet personale të përjetuara me Hykën brenda dhe jashtë fushave me rrëfimet e tyre për një nga personazhet më të dashur për tifozerinë bardheblu dhe kryeqytetin.
Skënder Hyka lindi në vitin 1944 në Tiranë dhe ka luajtur ka luajtur futboll me të gjitha nivelet e klubit të Tiranës, që nga ekipet e moshave dhe deri tek skuadra e parë, duke qenë nga futbollistët kryesore të klubit në vitet 1957–1974.
Ai ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60’-70’, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anembanë Shqipërisë. Nga viti 1967–1974, ka qenë anëtar i ekipit Shpresa dhe atij Kombëtar në të gjitha aktivitetet e zhvilluara. Pasi la futbollin e luajtur ai gjithashtu spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa mandate radhazi si anëtar i Komitetit Ekzekutiv.
(Video) Promovohet, dokumentari me titullin “I denjë për Tiranën”, kushtuar ish-futbollistit të famshëm të Tiranës, Skënder Hyka