Java e 23-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit, Abissnet Superiore e rikthen Vllazninë të luajë në fushën e saj. Pas barazimit në transfertë me Egnatian, 0-0, Vllaznia pret sot në stadiumin “Loro Boriçi”, Kastiotin e Krujës. Një ballafaqim ky që përballë dy skuadra me objektiva të ndryshme, kuqeblutë e vendit të tretë që kanë objektiv titullin kampion dhe krutanët, të fundit në renditje, në luftë për mbijetesen në Superiore. Në prononcimin e dhënë në prag të kësaj ndeshje, trajneri kuqeblu, Mirel Josa, vlerëson skuadrën kundërshtare, por nga ana tjetër kërkon dhe beson fitoren në këtë sfidë. Fitore, që nëse realizohet, është një plus i madh për kuqeblu në objektivin e zonës Europiane dhe titullit kampion.
Profesor, përballë Kastriotit këtë javë, në pamje të parë duket një takim i lehtë, por Kastrioti sa herë është ndeshur me Vllanzinë ka treguar ego, madje ka marrë edhe pikë.
E para e punës, unë nuk mund ta quaj skuadër të lehtë Kastriotin, sepse përveç kampionatit të sivjetmë, edhe në kampionatet e tjera ajo ka treguar se ka shpirt gare. Ka cilësi brenda saj dhe këtë e ka treguar në shumë përballje, e tregoi edhe javën e kaluar kur luajti si e barabartë ndaj Tiranës. Ju keni qenë koherent me ngjarjet që kanë ndodhur më parë në përballjet e Vllaznisë me Kastriotin, teksa kjo e fundit ka ardhur në Shkodër ka treguar karakter dhe ka marrë edhe pikë. Prandaj unë nuk e konsideroj aspak të lehtë ketë përballje. Unë nuk i konsideroj të fituara ndeshjet para se ajo të fillojë.
Me disa rikthime duhet që të jeni i kënaqur me kontingjentin e skuadrës?
Unë do të jem i kënaqur me kontingjentin e lojtarëve kur ata të jenë të gatshëm që të gjithë. Kemi probleme, probleme, të cilat shpresoj që të kalojnë sa më shpejt.
Sa vjen dhe gara vështirësohet?
Ne për këtë punë jemi përgatitur. Mbaroj ndeshja me Egnatian që na dha edhe anë pozitive, por edhe negative. E kemi parë çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq. Edhe nëse fiton një ndeshje nuk mund të themi që kemi bërë gjithçka mirë. Ne shikojmë veten tonë dhe të rikuperojmë aty ku duhet. Nuk ka më ndeshje brenda apo ndeshje jashtë, por ka ndeshje që fitohet, barazohet apo humbet dhe kjo e fundit nuk më shkon ndonjëherë ndërmend. Por duhet që të jemi shumë vigjilentë që të mos e sjellim situatën në të kundërtën tonë.
Kruja përkrah jush në konferencë, që do të thotë se do të luajë në të djathtë të mbrojtjes nga minuta e paë?
Kruja është përzgjedhur nga drejtuesit e skuadrës për të qenë këtu në këtë konferencë, do të shikojmë nëse do të jetë në të djathtë të mbrojtjes apo diku tjetër. Kruja luan në dy-tri vende.
Kjo Vllaznia po shikon titullin?
Të gjithë e kemi synim atë, por për mua është e rëndësishme që të gjithë të shikojmë në radhë të parë që të arrijmë Kupat e Europës, por nëse arrihen të dyja bashkë do të ishte edhe më bukur.
Latifi po merr me shumë minuta, prisni më shumë prej tij?
Pres më shumë, qoftë nga Latifi, qoftë nga lojtarët e tjerë. Gjendja e tij nuk është optimale dhe po presim që të shikojmë një Latif sa më të përgatitur për të përballuar sa më mirë ndeshjet. Ai po merr minuta, por duhet që të shikojmë gjendjen e tij.
Vllazninë pritet që ta mbështesë edhe një publik në këtë përballje?
Do ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë takim sepse pritshmëritë e tifozëve ndaj nesh janë të mëdha dhe ato duan fitore në çdo ndeshje. Ata na kanë mbështetur qoftë brenda dhe jashtë prandaj ne duhet që të arrijmë më të mirën dhe t’i përshëndesim me fitore ato.