Partizani-Vllaznia U-17 dhe Akademia e Futbollit Tirana-Vllaznia U-19, ishin dy çiftet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë në futboll për moshat. Që të dyja ndeshjet u luajtën mesditen e sotme në kompleksin Internacional në Pezë Helmës të kryeqytetit, dhe në përfundim të tyre Vllaznia U-19 siguroi kualifikimin, ndërkohë që Vllaznia U-17 nuk ia arriti këtij qëllimi duke u eleminuar nga Kupa e Shqipërisë.
19 vjeçarët kuqeblu të drejtuar nga trajnerët Luan Zmijani dhe Gjon Kola i gëzohen kualifikimit bazuar në dy golëshin e shënuar nga Nikaj, përkatësisht në minutat 26 dhe 71, ndërkohë që dy golat e tjerë kanë për autor Pjeshkën dhe Delajn në minutat 37 dhe 47-të. Golin e vetëm për skuadrën kundërshtare e shënoi Nikqi në minutën e 89-të.
Në ndeshjen tjetër, atë të 17 vjeçarëve, Partizani-Vllaznia, që në fakt u luajt përpara asaj U-19, ekipi kuqeblu që drejtohet nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Denis Zmijani u mund me rezultatin 2 me 1. Dy golat për të kuqtë e Partizanit i shënoi i njëjti autor, Vidrica, përkatëssht në minutat 42 dhe 58-të. Goli i shënuar nga Maliqi për Vllazninë në minutën e 70-të shkurtoi diferencën në 2 me 1, ndërkohë që në minutat në vazhdim kuqeblutë ushtruan presion për të barazuar rezultatin dhe rihapur takimin, por nuk ia arritën qëllimit duke u kthyer në Shkodër të eleminuar nga Kupa e Shqipërisë.
Po ditën e sotme janë luajtur edhe dy ndeshje të tjera të Kupës së Shqipërisë në futboll për moshat, ku për kategorinë U-17 Labëria mundi Laçin 3 me 1 dhe për U-19 Laçi mundi Besën 3 me 2, skuadra këto që u kualifikuan në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Siç është bërë me dije edhe më herët, në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë për moshat vazhdojnë konkurimin edhe ekipet e KF Shkodra, të cilat sipas kalendarit të FSHF-së do t’i luajnë ndeshjet e tyre ditën e shtunë të 16 janarit duke u përballur në kompleksin Internacional në Pezë Helmës të kryeqytetit me Akademinë e Futbollit Tirana për U-17 si dhe me Dinamon për U-19.