Ada-Vora 2-5
(Shënues:Frroku 72′ , Durro 90′, / Vrapi 4′, Prengaj 45′, 67′, Magani 51′, Balla 82′)
E shtunë,4 mars 2023, ora 13:00, Fusha Sportive “Adriatik”-Velipojë
ADA: Margjini, Hurmi, Lera, Qeleshi, Curri, Vogli, Laçeja, Usamah, Barros, Texeira, A. Frroku. U aktivizuan edhe Mhillaj, Durro, Meta.) Trajner: Florian Frroku.
Vora: Jata, Stafa, Prengaj, Xhemajl, Vrapi, Magani, Gjoni, Sefa, Karaj, Avdiu, Meta.(U aktivizuan: Bashaj, Balla, Lala, Mema, Dedej). Trajner: Artan Mergjyshi
Gjyqtarë: O. Sokoli, D. Mile. V. Zeneli, G. Sulko. Delegat i FSHF-së: K. Shkëmbi-Vëzhgues: G. Selala
Ada e Velipojës, nuk ia ka dalë as këtë javë të marrë pikë. Ndonëse ka luajtur në shtëpi, përballë ka pasur një skuadër të fortë, të mirëorganizuar dhe mirëfinancuar, si Vora, e cila me të drejtë kryeson grupin A të Kategorisë së dytë të futbollit shqiptar.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës ka përfunduar me rezultatin 2 me 5 në favor të skuadrës mike. Një ndeshje kjo e dominuar përgjithësisht nga vorakët, por gjithësesi duhet thënë se pjesa e parë ka qënë shumë e dyluftuar. Miqtë nga Vora të drejtuar nga trajneri i mirënjohur Artan Mërgjyshi kanë kaluar shumë shpejt në avantazh, që në minutën e 4-t me autor Vrapin, por për hirë të së vertetës, minutat në vazhdim të kësaj pjese kanë pasur një farë barazpeshe, dhe vetëm në limitin e kësaj pjese, miqtë nga Vora, do të arrinin të shënonin golin e dytë duke bërë që 45 minutëshi i parë të mbyllej me fitoren e Vorës, 0-2.
Falë kualiteteve që ka në skuadër, me emra të njohur që kanë luajtur me sukses edhe në kategorinë Superiore, Vora arrin ta administrojë lojën edhe në pjesën e dytë. Ndonëse në kampin velipojak ka më tepër lëvizje dhe dëshirë për të reaguar në kërkim të gjetjes së golit të parë, janë miqtë ato që arrijnë të shënojnë edhe dy gola të tjerë njëri pas tjetrit. Fillimisht është Magani që shënon në minutën e 51-të dhe më pas edhe Prengaj në të 67-tën, i dyti për të në aspektin personal.
0 me 4 në favor të Vorës, dhe duket gjithçka e mbyllur, por goli i kapitenit velipojak Frroku në minutën e 72-të ngre paksa moralin tek vendasit dhe tek ato pak tifozë të pranishëm në mjediset e fushës sportive “Adriatik”.
Iluzionit të velipojakëve për një mundësi të barazimit të rezultatit i jep fund një supergol i shënuar nga rreth 40-të metra nga Balla në të 82-tën minutë duke e thelluar avantazhin në 1-5. Gjithësesi, Ada nuk dorëzohet, dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt arrin të shënojë me anë të të riut të talentuar Durro. Gol ky që vlen vetëm sa për statistikë, sepse e gjithë ndeshja mbyllet me rezultatin 2 me 5 në favor të Vorës.
Pas javës së 14-të, grupin A të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë, vazhdon ta kryesojë Vora me 32 pikë e ndjekur nga Sopoti, Valbona dhe Veleçiku, respektivisht me nga 31 Sopoti, dhe nga 27 pikë Valbona me Veleçikun, skuadra këto, që edhe ato sot dolën fitues në ndeshjet e tyre.
Ndërkohë, humbja e sotme e Adës në shtëpi, e rëndon edhe më tepër situatën në kampin velipojak. Me vetëm 2 pikë dhe në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, Ada dukeT e pashpresë për mbijetesë. Por, për trajnerin e Adës, Florian Frroku, i cili ka dy-tre javë që ka marrë drejtimin e skuadrës, falë edhe kalendarit të favorshëm në vazhdimm Ada i ka kapacitetet për të siguruar mbijetesen në kategorinë e dytë.
(Video) Panje nga ndeshja, Ada-Vora, e luajtur sot në Velipojë dhe e fituar nga Vora me rezultatin, 2-5.
Gaspër MARKU