Shqipëri U16-Kosovë U-16 1-1 (Shënuese: Xhesika Ndoji 38’/ Olsa Maqastenën 6’)
Formacioni i Shqipërisë: Amelia Mone (GK), Imelda Ara, Klevisa Ndoci, Leoselda Stalaj, Angela Nika, Klea Allushi, Bora Bushati, Tiana Gjonaj, Klesta Ago (c), Aishe Sulejmani, Xhesika Ndoji. Trajner: Agustin Kola
Shqipëri U-16 për vajza zhvilloi këtë të enjte ndeshjen e dytë ndaj Kosovës në turneun ‘UEFA Development U-16’, që po zhvillohet në Qendrën Sportive Kombëtare në Kamëz. Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Agustin Kola bënë një paraqitje shumë të mirë teksa e mbyllën kohën e rregullt të ndeshjes me barazimin 1-1, ndërsa humbja erdhi nga penalltitë.
Trajneri Kola hodhi në fushë këtë formacion: Amelia Mone (GK), Imelda Ara, Klevisa Ndoci, Leoselda Stalaj, Angela Nika, Klea Allushi, Bora Bushati, Tiana Gjonaj, Klesta Ago (c), Aishe Sulejmani, Xhesika Ndoji.
Përfaqësuesja e Kosovës gjeti e para avantazhin me Olsa Maqastenën që në minutën e 6-të takimit. Maqastena përfitoi mirë nga rrëmuja në zonë, duke e dërguar topin në rrjetë e duke kaluar Kosovën në epërsi mjaft herët.
Një gol që nuk i demoralizoi aspak vajzat kuqezi, të cilat tentuan më pas dhe krijuan disa raste të pastra me Xhesika Ndojin. Goli i barazimit erdhi në minutën e 38-të, pas një kombinimi të bukur Ndoji-Allushi. 11-shja e skuadrës, Xhesika Ndoji u fut në zonën kundërshtare e i dhuroi topin Klea Allushit në të majtë. Mesfushorja kuqezi godet me të djathtën, duke e dërguar topin në rrjetën kundërshtare e duke barazuar shifrat në 1-1. Me këtë rezultat mbyllet edhe pjesa e parë e takimit.
Në fraksionin e dytë të lojës, Shqipëria vazhdon të luajë më mirë dhe të shfaqet rrezikshëm në portën e Kosovës, por nuk finalizon. Trajneri Kola bën edhe disa zëvendësime që i japin më shumë gjallëri lojës së vajzave kuqezi. Pak minuta para përfundimit të lojës, Aurora Cakolli ndëshkohet me karton të kuq pas një faulli dhe lë Kosovën me 10 lojtarë. Një vendim që nuk shfrytëzohet mirë nga vajzat kuqezi, teksa pjesa e dytë mbyllet me shifra të njëjta, 1-1.
Sipas rregullit të turneut, secila ndeshje duhet të ketë një fitues, e për këtë arsye, skuadrat iu drejtuan pikave të bardha të penalltive, me Kosovën që në këtë rast u tregua më e saktë, duke mundur Shqipërinë 2-0.
Kjo ishte ndeshja e dytë e turneut “UEFA Development U-16” për vajza, që po zhvillohet në Shqipëri nga data 7 mars deri më 12 mars. Përveç Shqipërisë U-16 në këtë turne marrin pjesë edhe përfaqësueset e Kosovës, Moldavisë e Andorrës dhe të gjitha ndeshjet po zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare.
Ndeshjet e treta dhe të fundit të turnout do të zhvillohen më date 12 mars me Shqipëri – Andorra që është planifikuar të luhet në orën 10:00 dhe Moldavi– Kosovë në orën 12:30.