Kategoria e parë e futbollit shqiptar, luan sot 6 ndeshjet e kalendarit të javës së 19-të. Mes tyre, spikat, sfida që do të luhet në stadiumin “Ismail Xhaemali” të Pukës në mes Tërbunit vendas dhe Flamurtarit mysafir. Një ndeshje kjo që pritet me shumë interesim nga ana e tifozërisë pukjane, pasi kërkojnë kthesen e ekipit të tyre. Realisht, javët e fundit Tërbuni ka zhgënjyer në rezultate, ku nga një skuadër pretendente për katërshën e parë të renditjes, ka zbritur shumë poshtë duke rrezikuar për rënien nga kategoria. Ardhja në krye të skuadrës e trajnerit të njohur Ramadan Ndreu, u mendua se do të sillte ndryshimin e situatës, por deri më tash, asgjë. Një fitore e sotme, përpos moralit të duhur, i jep pukjanëve edhe mundësinë të ngjiten në renditje. Por, nga ana tjetër, përballë do të kenë një Flamurtar, skuadër të mirëorganizuar, e cila me të drejtë është kryesuese e kampionatit, e cila edhe ajo vjen me pretendime për të marrë tre pikë në Pukë. Kjo e bën edhe më interesante përballjen e sotme në stadiumin, “Ismail Xhemali” të Pukë.
Me interes priten edhe përballjet e tjera, sidomos ajo në mes mes Skënderbeut dhe Tomorit. Korçarët nuk duan të hedhin më hapa fals në garën për t’u ngjitur, ndërsa ekipi i Arbërit ndodhet në zonën “playoff” dhe kërkon të ruajë vazhdimësinë. Lushnja e vendit të parafundit luan me Korabin në shtëpi, me të dyja skuadrat që duan tre pikët për objektiva të ndryshëm. Tre sfidat e tjera janë Besa-Turbina, Burreli-Luzi dhe Oriku-Besëlidhja.
Ndeshjet e sotme të Kategorisë së Parë:
TËRBUNI – FLAMURTARI 13:00
SKËNDERBEU – TOMORI 13:00
LUSHNJA – KORABI 13:00
BESA – TURBINA 13:00
BURRELI – LUZI 13:00
ORIKU – BESËLIDHJA 13:00