Bekim Balaj heq mallkimin e golit dhe shënon golin e parë me fanelën e Vllaznisë. Sulmuesi shkodran realizoi me anë të një penalltie të fituar nga Esat Mala. Balaj u shpreh:
“Të them të drejtën jam i lumtur për golin. Do të doja që ai gol të vinte me fitore në Shkodër. La një shije dhe një zhgënjim te ne. Dëmtimi i Malës erdhi në një moment shumë të mirë për të. Shpresoj që skuadra mos ta ndjejë mungesën e tij dhe të rikthehet sa më shpejt.
Tre barazime dhe një humbje? Të them të drejtën, siç e thatë dhe ju, për të ndjekur dhe ritmin e vendit të parë, nuk duhen lënë pikë rrugës. Jemi ekipi që kemi marrë më shumë pikë në Shkodër. Duhet vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje.
Kupa apo kampionati? Jemi në dy frontet. Në Kupë kanë mbetur më pak ndeshje. Edhe kampionati është ende i hapur.
Salihi? Kam komunikuar me të. Njihet si gjahtar golash. Nuk e kam takuar sot. Kam biseduar më herët. Dua të afrohem sa më shumë te goli. Do të ishte vlerë realisht.
Frika e humbjes? Nuk e di. Realisht për të arritur objektivat duhet të marrim më shumë përsipër. Duhet të rrezikojmë më shumë. Në ndeshjet jashtë ka qenë dëshira për të mos humbur ndeshjet. Nuk mjafton ajo që kemi bërë. Është e dukshme. Siç e thashë dhe më herët, duhet të ndrrojmë dhe një marsh. Nuk tolerohen më gabimet.
Emocionet te penalltia? Të jem i sinqertë, si rrallëherë emocionet nuk ishin të mëdha. Kisha bindje që do të shënoja sot. Dhe për fat ka qenë prezenca e babait tim në stadium. Ishte hera e parë që ka qenë në stadium sepse ka qenë në Itali. Golat më të shumtë në karrierë i kam shënuar nga krahët. Nuk arritëm ta gjejmë veten, nuk e vendosëm realisht në vështirësi Partizanin. Dhe po të ishte Marku, sot do të më toleronte te penalltia.
Kupa? Është specifikë tjetër. Kemi arritur një rezultat të mirë në Shkodër. Mbetet çdo gjë e hapur. Me përqëndrim maksimal është një objektiv që duhet ta arrijmë”, tha ai.