Kukësi nuk arriti të fitonte kundër Teutës, duke marrë vetëm një pikë me barazimin 0-0m kështu komplikohen seriozisht pozitat për qëndrimin në Kategorinë Superiore. Trajneri Rraman Hallaçi u shpreh për Oversport:
“Kishim menduar që të merrnim fitoren, tentuam në këtë gjitha mënyrat, dolëm në fund me dy sulmues por me shumë vështirësi nuk ia dolëm të realizonim shanset. U afruam, por përsëri vuajtëm te finalizimi.
Pjesa e parë ishte e luftuar te të dy skuadrat, sot kishte luftë sportive. Nuk mjafton vetëm kaq, nuk kemi bërë një ndeshje perfektë, ashtu duhej të ishte nëse do të kishim shënuar golin e marrë tre pikët.
Skuadra sulmoi, duke ditur presionin për një fitore, por edhe të mbroheshim mirë, se do të ishte fatale. Tentuam nga krahët, por nuk po arrijmë të bëjmë diferencën, kërkojmë që të dalin një kundër një e tregojnë aftësitë e tyre. Po vuajmë shumë por nuk jemi dorëzuar. Do të tentojmë deri në fund dhe kam besimin e plotë që Kukësin do ta shpëtojmë nga rënia.
Ndryshimet në formacion? Shihej pak lodhje dhe rotacioni ishte mbi këtë gjë, Lojtarët janë të bllokuar edhe nga tensioni i rezultateve që priten nga drejtuesit. Por nuk ka asgjë, asnjë keqkuptim me lojtarët. Me Partizanin do kujdes, u thashë që nuk kemi luksin të bëjmë rotacione të plota nga ndeshja në ndeshje se fundi është pak i vështirë. Do bëjmë nga pak, sidomos për pjesën kryesore të lojtarëve që i kanë bërë të gjitha ndeshjet”, tha Hallaçi.
Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shpreh i kënaqur pas barazimit 0-0 kundër Kukësit:
“Kishim mungesa të shumta, gjithësesi e kishim përgatitur mos të humbim ndeshjen. Kishim mundësitë tona. Kukësi pati më shumë raste. Në fund jam i kënaqur me 1 pikë, sepse pika është shumë e rëndësishme.
Stafi mjekësor punoi gjithë javën me Kotobellin dhe u rikthye. Por, ndjeu sërish dhimbje. U fut Goxhaj që kishte probleme. Kishim mungesa. E futëm Grudën edhe pse kishim menduar mos të hynte. Gjithë këto mungesa dhe gjendja jo e mirë mentale me Tiranën, na vunë në vështirësi të madhe. Djemtë treguan karakter. Në fund të ndeshjes mund ta fitonim ndeshjen”, tha ai.