Monday, November 25, 2024

Drejtoria Teknike mbledh shoqatat rajonale & trajnerët e ekipeve Kombëtare, prezantohet projekti i ekipeve përfaqësuese rajonale

Lexo

Drejtoria Teknike e FSHF-së ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e shoqatave rajonale dhe trajnerë të ekipeve përfaqësuese rajonale nga i gjithë vendi.

Drejtori Fulvio Pea u ka prezantuar të pranishme projektin e ekipet rajonale kombëtare, duke shpjeguar se objektivi primar është rritja e cilësisë së futbollistit mesatar në vend, duke ofruar profesionalizëm dhe duke ushqyer shpresë te të rinjtë, duke u dhënë mundësinë gjithsecilit të shndërrojë një ëndërr në realitet.

Më tej, ai theksoi se FSHF është e fokusuar në territorin e brendshëm të vendit, sepse vëmendja duhet të jetë maksimale kur bëhet fjalë për ndërtimin e kombëtares më të re, e cila do të formojë unazën e pare te zinxhirit mbi të cilin do te vendosen themelet për planifikimin e së ardhmes.

Sipas Peas, të organizosh një seleksionim për moshat U-13 dhe U-14, do  të thotë të ‘parashikosh’ për të besuar lojtarët dhe familjet, duke transmetuar vlera morale dhe duke paraqitur rrugën e re teknike të FSHF-së. Dhe kjo për Drejtorin Teknik mund të ndodhë nëpërmjet skautëve për Shoqatat Rajonale, stërvitjeve për djemtë e ekipeve përfaqësuese rajonale, turneut të përfaqësuese rajonale si edhe skautëve për seleksionimet rajonale kombëtare

Kjo strategji do të ndihmojë për të krijuar një bazë shumë më të gjerë zgjedhjesh, në përpjekje për të rritur cilësinë mes lojtarëve dhe mbi të gjitha, për të nisur paraprakisht rrugën e re teknike.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave Armand Damo, Ardi Behari, Ervin Bulku, Alban Bushi si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF, ndër të cilët edhe eksperti i futbollit, Sulejman Mema, i cili në një prononcim për Fshf.org shpjegoi edhe më në detaje temat e diskutimit dhe fokusimi te rritja e cilësisë së futbollit në vend.

“Ishte një takim për të dhënë orientimet e duhura në vazhdimësi për mbarëvajtjen e ekipeve përfaqësuese rajonale. Ne sapo përfundim turneun e përfaqësueseve rajonale dhe pas analizës që kemi bërë duke evidentuar gjërat duhen përmirësuar dhe për ta rritur akoma më shumë nivelin dhe cilësinë e futbollit, duhet patjetër një organizim i ri që Drejtori Teknik, Fulvio Pea e ka bërë në mënyrë perfektë dhe shpresojmë që do të implementohet shumë mirë tek përfaqësueset rajonale. Diskutuam bashkë me përfaqësuesit e shoqatave rajonale për problematikat e vogla që mund të jenë hasur dhe ne do të punojmë bashkërisht që të përmirësohemi në çdo drejtim që të rritet cilësia”, – tha Mema.

Më tej, Mema shpjegoi edhe arsyen e krijimit të dy ekipeve të reja Kombëtare, që do t jenë një mbështetje e madhe për ekipe Kombëtare të moshave, ndërkohë që do t’u japin m shumë mundësi të futbollistëve të vegjël të cilët aktivizohen në Shqipëri.

“Kemi bërë të mundur që të krijojmë edhe dy ekipe të tjera Kombëtare për moshat U-13 dhe U-14 pas përfundimit të turneut të përfaqësueseve rajonale në Shtëpinë e Futbollit, dhe më duhet të them se ishte një aktivitet ku kishte shumë entuziazëm. Duhet të rrisim më shumë cilësinë dhe tani synojmë që me krijimin e ekipeve U-13 dhe U-14 të jenë një mbështetje e madhe për ekipin Kombëtar U-15, që merr pjesë në kompeticione ndërkombëtare për t’u dhënë mundësinë futbollistëve shqiptarë të kësaj grup-moshe, jo vetëm atyre që luajnë jashtë, që të jenë pjesë e ekipeve tona kombëtare dhe që ato të ndihen më të motivuar. Shpresoj që të realizohet kjo, dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqatave rajonale e kanë pritur mirë këtë projekt. Uroj që të gjithë të bëjnë maksimumin e mundshëm për rritjen e cilësisë të futbollistëve tanë”, – deklaroi Sulejman Mema.

Sakaq, të pranishmit diskutuan gjerësisht edhe për mënyrën se si duhet përdorur metodologjia e stërvitjes për të përmirësuar në aspektin cilësor futbollistët e rinj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img