Skënderbeu u shpall zyrtarisht kampion i sezonit 2022-2023 të Kategorisë së Parë dhe një faktor kryesor ishte dhe emërimi i trajnerit Ivan Gvozdenovic i cili ktheu gjithçka dhe bëri që korçarët të mos ndaleshin më drejt titullit të 4-të në histori të Kategorisë së Parë. Pas ndeshjes me Lushnjen trajneri Gvozdenovic tha:
“Jam shumë i lumtur, por është e gjitha merita djemve. Ne ia arritëm të dyja objektivave, të ngjiteshim në Superiore dhe të merrnim titullin kampion. Jam shumë i lumtur së bashku me futbollistët dhe stafin teknik.
Kur jam takuar me presidentin Takaj në fillim nuk e kishim menduar se do të arrinim këtu, por ishim me besim të madh. Më pati thënë që kemi djem të mirë dhe do të provojmë. Kemi kohë për Superioren, do bëjmë një ekip të mirë”, deklaroi ai për Oversport.