Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë pjesë në seminarin “UEFA Share”, që është një skemë përditësimi e rëndësishme brenda programit të zhvillimit dhe certifikimit të trajnerëve të portierëve nga qeveria e futbollit europian. Fokusi i këtij aktiviteti, që u zhvillua pak ditë më parë në Izrael, është trajnimi i portierëve duke u bazuar te “realiteti i ndeshjes”.
Ky seminar u mundëson specialistëve pjesëmarrës të kuptojnë rëndësinë e të trajnuarit të portierëve, duke u bazuar në realitetin e ndeshjes dhe implementimin e këtyre metodave në kurset për trajnerët e portierëve që organizon Federata.
Përfaqësuesit e FSHF-së në këtë event të rëndësishëm ishin Drejtori i Sektorit te Edukimit, Sulejman Starova dhe Përgjegjës i Sektorit të Zhvillimit të Portierëve, Erion Meta.
Drejtuesit e këtij seminari ndër të tjerë ishin edhe emra të njohur si Frans Hoek nga Holanda (Asistent i Luis Van Gal te Barcelona, Mançester United dhe Holanda) apo edhe Hans Leitert, ish-portier i kombëtares austriake, ish-trajner portierësh te Tottenham Hospur e njëkohësisht anëtar i panelit të UEFA-s për portierët.
Seminari është zhvillua përgjatë katër ditëve teorike intensive me një strukturë interaktive, ku u prezantua dhe metodologjia e re zyrtare e UEFA-për analizimin e perfomancës së portierit modern në ndeshje dhe e ndërtimit të strukturës stërvitore.
Përveç përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga federatat e Izraelit, Armenisë, Bjellorusisë, Bullgarisë, Qipros, Greqisë, Kosovës, Maltës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë dhe Turqisë.