Do të ketë një tjetër ndryshim në listën e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ivan Balliu nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi.
Futbollisti kuqezi i është nënshtruar vizitave mjekësore pas ndeshjes së fundit në La Liga me klubin e tij Rayo Vallecano për një problem në tendinën e muskujve aduktor (muskujt rrëzë kofshës).
Stafi mjekësor i Kombëtares ka qenë në kontakt në vazhdueshëm me klubin spanjoll dhe pas konsultave është konfirmuar mungesa e Balliut në ndeshjet e qershorit.
Lojtari do të nisë ndërkohë fazën e rikuperimit, ndërsa trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë mbrojtësin Naser Aliji.
Futbollisti, i cili numëron 13 ndeshje me Kombëtaren, pritet të mbërrijë në grumbullim që të enjten dhe t’i bashkohet ekipit në stërvitje për të nisur përgatitjet për dy sfidat zyrtare.