Mbrëmja e së enjtes ka përfshirë në festë zonën e Bushatit, pjesë e Bashkisë Vau Dejës. Klubi me emrin simbolik dhe historik Basania FC, pjesë e historisë dhe traditës së mirëfilltë të qytetërimi mbi dy mijë vjeçar të kësaj zone, ka festuar 3 vjetorin e krijimit të tij.
Një ceremoni festive që mblodhi futbollistët e vegjël të ekipeve zinxhir, trajnerët dhe stafet teknike të tyre, si dhe ekipin e rritur, i cili për herë të parë konkuroi sezonin e kaluar në kategorinë e tretë të futbollit shqiptar, familjar të sportistëve, tifozë dhe dashamirës sporti të zonës, si dhe të ftuar nga qyteti i Shkodrës, të cilët kaluan një mbrëmje të këndshme.
Nën moderimin e gazetarit sportiv, Gjergj Kola, në podium është shfaqur i pari Presidenti i Basania FC Ermir Shimaj, i cili në një fjalë të shkurtër ka pasqyruar rrugëtimin tre vjeçar të klubit, të cilin e themeloi vetë personalisht në qershorin e vitit 2020, suksesin me ekipet e moshave si dhe formimin edhe të ekipit të të rriturve, objektivat e të cilit janë për t’u kualifikuar në kategorinë e dytë, e më pas për të ecur edhe më lart, drejt majave më të larta të futbollit shqiptar.
Aktivitetin më pas ka vijuar me transmetimin e pamjeve dhe fotove në videoprojektor nga ndeshjet e ekipeve të Basania gjatë tre viueve të formimit të këtij klubi. Me duartrokitje janë pritur edhe përshëndetjet e Kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Lazër Matija, njëkohësisht edhe President i KFF Vllaznia, historiani i zonës së Bushatit, arkeologu Lekë Rrotani, trajneri i ekipit të rritur Basania Haris Lika, gazetari sportiv Gaspër Marku, biznesmeni i zonës së Bushatit Bledar Zagani, etj.
Pjesë e aktivitetit në fjalë ka qënë edhe prezantimi nga ana e presidentit Ermir Shimaj i uniformave të reja të klubit Basania FC të diezeniuara nga mjeshtri shkodran Lorenc Çefa, kompania e të cilit me qëndër në qytetin e Shkodrësa prodhon uniformat sportive mjaft cilësore për të gjithë ekipet e KF Vllaznia, si dhe të gjithë ekipeve të tjerë veriore dhe më gjërë.
Aktiviteti ka vijuar me pas nën ritmin e muzikës duke i dhënë mundësi futbollistëve të vegjël të tregonin klasin e tyre edhe si këngëtarë dhe valltarë, ndërkohë që organizatorët shtruan edhe një darkë për të pranishmit.
(Video) Pamje nga festa e 3 vjetorit të krijimit të Basania FC, Klubit të Futbollit në zonën e Bushatit të Bashkisë Vau Dejës.
Gaspër MARKU, 15 qershor 2023-Bushat-Bashkia Vau Dejës