Mbrëmjen e sotme duke filluar nga ora 20:45, Shqipëria do të ndeshet me Moldavinë në “Air Albania”. Një duel që do të përcaktojë shumë për elimintoet Euro 2024. Shqipëria pritet të luajë në sulm në këtë sfidë dhe Sylvinho i ka idetë e qarta për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Moldavisë, ndërsa dilema e vetme ka të bëjë me portën.
Berisha është i favorizuar ndaj Strakoshës, por nuk përjashtohet një rokadë mes portierëve, ndërkohë që skema pritet të jetë 4-2-3-1.
Në qendër të mbrojtjes kthehet dyshja Ismajli-Gjimshiti. Hysaj në krahun e djathtë, ndërsa vendin e Balliut të dëmtuar në të majtë pritet ta marrë Mario Mitaj. Ramadani dhe Bare do të krijojnë digën në mesin e fushës, ndërsa përpara tyre do të rreshtohen katër lojtarë sulmues. Bajrami pritet titullar, ndërsa bashkë me të Asani dhe Uzuni në krahët e repartit ofensiv do të ndihmojnë Cikalleshin në majën e sulmit kuqezi.