Vllaznia ka rinisur punën për takimin e 13 korrikut. Tashmë skuadra shkodrane po vazhdon fazën përgatitore në qytetin e vet, pas asaj prej dy javësh në kampingun boshnjak të Medjugorjes. Kështu, në fillim të kësaj stërvitjeje, trajneri Migen Memelli u foli futbollistëve për programin stërvitor dhe për ndeshjen e turit të parë të Konferencë Ligës ndaj Linfildit.
Në bisedën me lojtarët e tij, Memelli insistoi se Vllaznia ka një grup kompetitiv dhe me pak impenjim, mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë të eliminatoreve të Konference League. Ai kërkoi nga të gjithë që të japin maksimumin dhe të punojnë me të njëjtin ritëm si gjatë përgatitjeve në Bosnjë.
Ai kërkoi që skuadra të ketë përqendrim tani vetëm te përballja e parë e Konferenca Ligës. Më pas ekipi u stërvit normalisht dhe i gjithë grupi dukej se gëzonte një gjendje optimale. Po ashtu stafi teknik ka një detyrë të vështirë për ta konturuar ekipin dhe të nxjerrë edhe 11 lojtarët më të mirë të mundshëm.
Skuadra po vijon të punojë fort sërish në disa aspekte, duke nisur nga ana tekniko-taktike, disiplina dhe deri te përgatitjet fizike. Përgjatë dy javëve në Bosnjë, skuadra është mbingarkuar sidomos në aspektin fizik, ku edhe lodhja në këmbë është ndier më shumë gjatë kësaj periudhe.
Nga trajnerët është zhvilluar një punë me intensitet të lartë në këtë drejtim. Numri një i pankinës shkodrane është treguar shumë kërkues, ndaj futbollistëve dhe një gjë të tillë do ta kërkojë edhe në Shkodër.
Deri tani, skuadra e Vllaznisë ka punuar në disa drejtime, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ndeshjes së Konferencë Ligës ndaj Linfildit. Objektiv i kuqebluve mbetet kualifikimi në turin tjetër, edhe pse është një mision jo i lehtë.
BECI – Ndërkohë, ajo që ra në sy në këto seanca stërvitore ishte fakti se me Vllazninë është bashkuar edhe qendërmbrojtësi shkodran, Dritmir Beci.
Ky i fundit ka mbyllur aventurën e tij me Skënderbeun në Korçë dhe gjasat janë që tashmë shumë shpejt ai të zyrtarizohet si futbollisti më i ri i kuqebluve. Mesa duket, drejtuesit e klubit po e shikojnë si një mundësi për ta rikthyer në Shkodër shtatlartin shkodran.
Admir Uruçi