Humbja e javës së kaluar me Laçin në shtëpi, por edhe dy barazimet e mëparshme kanë lënë një shije jo të mirë në opinionin sportiv shkodran, ndaj në përballjen e nesërme me Apoloninë, kërkohet patjetër rikthimi tek fitorja. Një gjë të tillë e pranon edhe mesfushori kuqeblu, Arsid Kruja, i cili paraditën e së premtes u paraqit në konferencën për shtyp të pragndeshjes përkrah trajnerit Brdariç.
“Normalisht që jo vetëm ne, gjithë qyteti, e gjithë Shkodra pretendon fitoren, pasi objektivat tona tashmë janë të qarta dhe normalisht që të fitojmë patjetër nesër”, u shpreh Kruja plot besim në arritjen e suksesit.
Duke folur për kundërshtarin, që në një farë mënyrë konsiderohet i lehtë në letër, Kruja nuk është i atij mendimi. “Nuk mund të them se është kundërshtar i lehtë, pasi në këtë kampionat nuk ka asnjë kundërshar të lehtë, dhe duhet një vlerësim maksimal për gjithësecilin ekip. Ne do të japim maksimumin tonë në fushën e lojës kushdo qoftë përballë dhe të marrim pikët e plota”, tha Kruja.
I pyetur për gjendjen jo të mirë të skuadrës gjatë tre ndeshjeve të fundit, mesfushori kuqeblu, tha: “Humbja me Laçin nuk ishte një rezultat që e prisnim, por ne kemi treguar që jemi një ekip që edhe mbas humbjes arrijmë të fitojmë dhe këtë do ta kërkojmë nesër në fushën e lojës”.
Falë një gjendje jo të mirë shëndetësore, Kruja ishte jashtë formacionit si titullar, por tashmë është Ok për t’i shërbyer skuadrës në të gjithë drejtimet. “Nuk mund ta quaj dëmtim, sepse nuk ishte fizik. Kam kaluar një gjendje gripale dhe tani jam shumë mirë dhe kërkoj të bëj maksimumin”, përfundoi Arsid Kruja në konferencën për shtyp dhënë sot në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.