Vllaznia do të zhvillojë ditën e hënë takimin e javës së shtatë të kampionatit. Ajo do të përballet me Dinamon. Mirëpo, përtej rezultatit të arritur ndaj Egnatias, kuqeblutë e teknikut Memelli do të kenë në këtë përballje edhe një tjetër mungesë.
Mbrojtësi Dragoshi, që u ndëshkua me kartonin e kuq, nuk do të jetë pjesë e takimit me Dinamon. Ai i shtohet listës së gjatë të futbollistëve që janë të dëmtuar. Portieri Kristi Qarri mund të mungojë për një periudhë afro 2 apo 3-javore në formacionin kuqeblu. Ndërsa janë edhe plot 5 futbollistë që kanë përfunduar në infermieri. Hakaj, Spahija dhe Bruno Gomes ndodhen prej ditësh të dëmtuar, teksa pas sfidës me Teutën është shtuar edhe Asani.
Por para kësaj sfide u është shtuar edhe mbrojtësi i majtë Smajli. Makthi më i madh i kuqebluve në këtë sezon janë dëmtimet, që ndikojnë edhe në performancën e skuadrës. Memellit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpresojë që lojtarët të rikthehen sa më shpejt në fushë e lojës për të dhënë kontributin e tyre në skuadër. Hakaj ka një tërheqje në kofshën e këmbës së majtë. Po ashtu një tërheqje në këmbën e djathtë ka edhe Spahija me tërheqjen që ka pasuar dhe që do të qëndrojë për më shumë se dy muaj jashtë stërvitjes. Po ashtu Bruno, që kishte probleme fizike në momentin e ardhjes, duket se nuk e ka përballuar ngarkesën stërvitore. Shqetësimi i tij duket më i lehti për momentin, por edhe për këtë përballje ai do të jetë jashtë fushave të blerta. Ndërsa një tjetër lojtar që u dëmtua dhe po shihet me shumë vëmendje rikthimi i tij është edhe mbrojtësi i majtë Xhelil Asani.
Ai u dëmtua në takimin ndaj Teutës, duke sjellë madje edhe një problem jo të vogël për repartin e mbrojtjes. Po ashtu në prag të takimit me Egnatian ndjeu shumë shqetësime rrëzë kofshës edhe Smajli, duke bërë që Vllaznia të jetë deficitare në prapavijë. Pavarësisht shqetësimeve të shfaqura, Alivoda duket se do jetë pjesë e ekipit në përgatitjet për përballjen ndaj Dinamos. Nga ana tjetër, rikthimi i Juriçit duket se krijon një stabilitet në qendrën e mbrojtjes, pavarësisht se nga krahët Vllaznia tani mbetet totalisht e zbrazët. Mesa duket ky start i kampionatit nuk është në favor të teknikut Memelli për sa u përket lojtarëve që do të ketë në dispozicion.
Admir URUÇI