Dinamo-Vllaznia 1-1(Shënues: Bardhi 84’/Balaj 51’(p)
DINAMO: Rexhepi, Mesa, Marku, Samake, Tusha, Denison, Gudiabi, Lorran, Allmuça, Zabërgja, Vila. Trajner: Luixhi Di Biaxho
VLLAZNIA: Mëhidri, Pusi, Juriç, Stojanoviç, Sala, Alivoda, Boshnjaku, Krymi, Mala, Gruda, Balaj. Trajner: Migen Memelli
Gjyqtarë: Arbiter kryesor: Andi Koçi(Durres), Asistent 1: Nuri Rrapaj(Patos), Asistent 2: Rexhep Muzhaqi(Elbasan), Arbiter i 4: Juxhin Xhaja(Tirane)
VAR: Emanuela Rusta(Elbasan)-AVAR: Nertil Bregasi(Tirane)
Delegat: Bujar Pregja(Tirane)-Vezhgues:Plarent Kotherja(Tirane)
Në barazim 1 me 1 është mbyllur ndeshja në mes Dinamos pritëse dhe Vllaznisë mysafire. Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena” përballi dy skuadra që në formacionet e tyre kishin mungesa të rëndësishme.
Një ndeshje që pati penallti, karton të kuq dhe raste të humbura nga të dyja skuadrat. Referuar ecurisë së takimit, fillimi ishte më i mirë për dinamovitët, të cilët në momente të caktuara u shfaq më e rrezikshme në portën e Vllaznisë, por pa arritur të shënojë duke bërë që pjesa e parë të mbyllej e bardhë, 0-0.
Në 45 minutëshin e dytë, loja e Vllaznisë ka një përmirësim të dukshëm, gjë që pasqyrohet me vizitat më të shumtë në portën kundërshtare. Si rezultat i presionit në portën dinamovite një vërshim karakteristik i Grudës në zonë shoqërohet me një dorë të vendosur në gjoksin e sulmuesit shkodran, i cili humb ekuilibrin duke u rrëzuar në zonë. Kryesori nga Durrësi, Andi Koçi vërshëllen për penallti. Në kampin dinamovit ka reagim, por ndërkohë konfirmimi i penalltisë vjen edhe nga Emanuela Rusta, VAR.
Ashtu si edhe herët e tjera, ekzekutimin e penalltisë e merr përsipër kapiteni Bekim Balaj. Nëse nuk do të ishte një goditje shumë e fortë, prekja e portjerit Rexhepi mund të shpëtonte portën e tij.
0 me 1 për Vllazninë, e cila ka komoditetin të administrojë minutat në vazhdim për t’u larguar me tre pikë nga Elbasani. Por, atëherë kur nuk pritej vjen goli i barazimit nga Dinamo përmes Bardhit të aktivizuar në pjesën e dytë.
Pas barazimit, morali i Dinamos është në rritje duke insistuar që në minutat në vazhdim të gjejë golin e fitores. E ndërkohë, që në minutën e 88-të pretendon për një penallti në zonën e Vllaznisë pas rrëzimit në zonë të Zabërgjesë, gjyqtari Koçi mendon të kundërtën. Madje, duke e ndëshkuar me të verdhë për simulin, i dyti për Zabërgjesë e largon nga fusha e lojës me të kuqe.
Gjashtë minutat shtesë janë të përfshira me emocione të shumta. Dinamo, edhe pse me një futbollist më pak duket si e barabartë në fushën e lojës, ndërkohë që në një rast flagrant të Vllaznisë, Çoba ishte fare pranë golit për të kthyer kuqeblutë në Shkodër me tre pikë.
Në prononcimet e pasndeshjes, të dy trajnerët kundërshtarë, Migen Memelli i Vllaznisë dhe Luixhi Di Biaxho i Dinamos, deklarojnë se humbën dy pikë.