Friday, October 25, 2024

“Ekip me luhatje, por kam besim te Memelli”, Gilman Lika: Vendi i katërt sukses për Vllazninë, skuadra nuk më bind

Lexo

Vllaznia e këtij sezoni duket si një “miks” mes skuadrës që zhvillon lojë të mirë dhe ka grintë në fushë dhe faktit që herë pas here situata i del jashtë kontrollit dhe pikët “rrëshqasin”. Ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, në një prononcim për “Panorama Sport” nga Arabia, ku punon në një prej akademive atje, i ka bërë një përmbledhje fazës së parë të zhvilluar nga Vllaznia, që e mbylli me një fitore ndaj Skënderbeut.

Ai e quan sukses nëse Vllaznia do të jetë pjesë e katërshes më të mirë. Ish-sulmuesi shprehet skeptik sa u përket lojtarëve të ardhur në verë, teksa shton se drejtuesit do të duhet të ndërhyjnë me patjetër në merkato nëse duan të qëndrojnë brenda objektivave të vendosur në fillim të sezonit.

Gilman, cili është vlerësimi juaj për fazën e parë të zhvilluar nga Vllaznia?

Duke u kthyer te ndeshja që Vllaznia bëri në Shkodër për Ligën e Konferencës, krijova shumë besim tek ekipi. Sa i përket fazës së parë të kampionatit, mund të them se kanë zhvilluar ndeshje të të dyja standardeve, të mira dhe jo të mira. Unë personalisht kam pritur diçka më tepër nga ky ekip. E kam pritur pak më mirë, gjithsesi mendoj se edhe mungesat kanë pasur një ndikim te kjo ecuri.

Çfarë nuk shkoi te kjo skuadër në këtë fazë?

Nuk mund të futem në probleme taktike apo se si një trajner e mendon futbollin, sepse kjo është personale dhe nuk mund t’i thuash dikujt që e ka gabim. Por duhet të jemi të sinqertë, që me këta lojtarë që kemi, po të arrijmë brenda katërshes, do të jetë sukses.

Si i vlerësoni afrimet e bëra?

Deri diku vetëm 2-3 lojtarë e kanë justifikuar veten, pjesa tjetër nuk kam çfarë të them.

Çfarë do të kishit sugjeruar për të ndryshuar për të ardhmen?

Nuk kam se si të jap ndonjë “recetë” për këtë gjë. Çdo trajner e di më mirë punën e tij dhe e njeh më mirë skuadrën, sesa ne që e shohim situatën nga jashtë.

Sa kanë ndikuar mungesat në këto rezultate?

Nuk më pëlqen që të gjej justifikime, por edhe mungesat kanë pasur një ndikim të madh në këtë ecuri të ekipit të tyre.

Si e shihni vazhdimësinë e kësaj skuadre?

Kam besim te trajneri Memelli, i cili mendoj se do të gjejë problematikat dhe do ta dërgojë skuadrën aty ku e meriton.

A duhet të ndërhyjë klubi në merkaton e janarit?

Për mendimin tim duhet të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme nëse kërkohet që në këtë sezon të pretendohet për titullin kampion dhe Kupën, objektiva që klubi i vendos në çdo fillimsezoni.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img