Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e fundit në këtë edicion kualifikues ndaj Ishujve Faroe. Trajneri Silvinjo dhe Keidi Bare dolën ditën e sotme përpara mediave në konferencën zyrtare. Tekniku Brazilian dhe mesfushori falenderuar shqiptarët për mbështetjen e madhe dhe thanë se është një ëndërr e bërë realitet kualifikimi në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Trajneri Silvinjo u shpreh se ka mbetur edhe një objektiv tjetër për t’u arritur, vendi i parë në Grupin E. Tekniku i Kombëtares shqiptare deklaroi se ditën e nesërme do të ketë disa ndryshime në formacion, por synimi mbetet vetëm fitorja.
Pse kaq i përqëndruar edhe tani që jemi kualifikuar? – Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Është një ëndërr shumë e bukur. Arritëm kualifikimin në Moldavi, festuam atje me tifozët. Tani që jemi kthyer këtu mendojmë vetëm për ndeshjen me Ishujt Faroe sepse është një ndeshje e vështirë, me lojtarë të gjatë, që janë të aftë në luftën në ajër dhe mbrohen shumë mirë. Objektivi ynë i dytë është të arrijmë vendin e parë në grup pasi do të ishte bukur që ne në short të kishim një pozicion tjetër në shortin që do të hidhet në dhjetor. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim sa më mirë këtë edicion.
Moldavia? – Në aspektin psikologjik ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u menaxhuar për lojtarët, duke parë rëndësinë e ndeshjes me Moldavinë. Ka qenë pak e vështirë të flinim të qetë përpara asaj sfide, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë anën psikologjike dhe pjesën e ankthit. E morën lojën shumë mirë. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira. Unë në fjalorin tim nuk e njoh fare fjalën ‘relaks’. Nesër është një ndeshje e vështirë, kemi afërsisht 22 mijë tifozë të cilët do të vijnë të shohin këtë skuadër. Duan të shohin spektakël. I kemi fituar të treja ndeshjet në shtëpi falë mbështetjes së tifozëve. Ndërsa sa i përket Moldavisë, jemi të vetmit që i kemi mundur. Duam të shohim edhe gjendjen e skuadrës sonte dhe më pas te krijojmë një ide më të qartë për nesër.
Formacioni i skuadrës nesër– Patjetër që do të ketë ndonjë ndryshim, siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit. Tifozët janë përgatitur për festë, por ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe jemi të fokusuar. Është e vështirë të menaxhosh lojtarët në kaq pak ditë, të fusësh të njëjtën skuadër në fushë, të përdorësh të njëjtët lojtarë. Kemi vetëm një përgatitje të lehtë sot, për të përgatitur ndeshjen nesër dhe lojtarët nuk kanë shumë kohë për t’u rikuperuar. Është e vështirë të zhvillosh dy ndeshje në tre ditë dhe patjetër që do të ketë ndryshime.
Lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalet e Europianit – Duket sikur ka shumë kohë, por nuk ka. Vetëm sot e nesër do të jemi me lojtarët dhe pastaj ‘ndahemi’ për t’u ribashkuar në muajin mars dhe sigurisht që gjatë kësaj periudhe do t’i vizitojmë lojtarët në klubet e tyre në muajt e ardhshëm. Do të takohemi sepse kjo është pjesë e punës tonë. Por jo vetëm këta lojtarë, por edhe futbollistë të tjerë, pasi kemi rreth 50 të tillë që po i monitorojmë. Por, përpara kësaj, nesër kemi një finale për t’u luajtur, që mund të na çojë në vendin e parë në grup dhe që do të ishte një arritje shumë e madhe. Më pas do të mendojmë për këtë. Ka shumë lojtarë, jo vetëm Broja e Kumbulla, por edhe shumë lojtarë të tjerë që mund të jenë të vlefshëm që ne i kemi monitoruar vazhdimisht. Është gjë e mirë për trajnerin kur ka shumë zgjedhje dhe lojtarë të mirë, ashtu sikurse është e vështirë sepse duhen bërë zgjedhje. Por kjo është pjesë e punës tonë.
Nuk shqetësohem për të evituar ndonjë kundërshtar, nuk mendoj që duhet të arrijmë vendin e parë në grup për të qenë në vazon e parë të shortit. Ne arritëm kualifikimin kur na mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe kjo është diçka fantastike. Kemi 7 ndeshje që nuk jemi mundur, jemi mbrojtja e katërt më e mirë në këtë edicion, kemi pësuar më pak gola. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe nuk mendoj shumë për rivalët që mund të kemi në short.
A do të jetë ky grupi i Europianit?– Nuk dihet se ç’mund të ndodhë në 6 muaj. Kemi shumë gjëra për të vlerësuar. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm me këtë grup lojtarësh deri tani. Kemi bërë një punë fantastike. Puna e trajnerit është e vështirë sepse duhet të zgjedhë dhe mund të ketë edhe dëmtime e mungesa vazhdimisht dhe është i detyruar që të ndryshojë. Këta lojtarë e meritojnë dhe mund të themi se 70% janë këta pjesë e grupit që e meritojnë të jenë me ne në Europian.
Ku duhet të përmirësohet më shumë kjo Kombëtare?– Ka shumë për të përmirësuar dhe do të punojmë shumë në këtë drejtim. Por, ne gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi. Është një punë e vazhdueshme. Në Kombëtare, një trajner nuk ka shumë kohë të rrijë me lojtarët siç është në një klub. Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme për të luajtur dhe ne do të punojmë vazhdimisht që të përmirësohemi në çdo drejtim. Urimi më i veçantë që kam marrë është nga populli dhe shqiptarët që kam takuar, janë shumë të lumtur. Jam i kënaqur për këtë fakt sepse ne luajmë për tifozët.
‘Çështja’ Broja – E kam parë postimin që ka bërë futbollisti dhe u ndjeva shumë mirë. Kam dëgjuar që flitet herë pas here për Brojën, sikur ai nuk ka pasur dëshirë. Ju siguroj që janë gjëra që nuk ekzistojnë dhe nuk ka pasur asgjë të vërtetë në këto që shkruhen. E respektoj shumë si lojtar, por ne duhet të respektojmë edhe shëndetin e tij që vjen i pari. Herën e fundit kur ai erdhi me Kombëtaren, Broja u stërvit shumë pak dhe u detyrova që në konferencën për media para Çekisë të deklaroja që ai nuk ishte në gjendje të mirë fizike. Broja ka luajtur shumë pak dhe ka nevojë të rikuperohet dhe të kthehet në formë sa më shpejt. Është një lojtar shumë i mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse kthehet nga një dëmtim shumë i rëndë dhe duhet që të luajë me Chelsea-n dhe të rikuperohet. E mirëpresim kur të jetë në formë.
Nënshtetësi shqiptare? – Me zemër jam një shqiptar. Rrugëtimi i Kombëtares shqiptare ka qenë fantastik dhe tani ia dolëm që të jemi sërish në finalet e Europianit. Është një ëndërr e madhe që realizohet dhe një nder për mua dhe ndihem mirë që punoj këtu.