Vllaznia-Elbasani 102-84 (25-21, 21-16, 24-19, 32-18)
Tucker 26 pikë, Sab 23 pikë, Gjeçaj 22, Rakaj 19, Anthony 8, Bitri 4,
102 me 84 në favor të skuadrës kuqeblu, ka përfunduar ndeshja Vllaznia-Elbasani në kuadrin e javës së 11-të të Superligës së basketbollit për meshkuj. Kjo është fitorja e katërt radhazi për skuadrën kuqeblu duke bërë që në mbyllje të fazës së parë Vllaznia të renditet në vendin e katërt me pikë të barabarta me vendin e tretë, me një bilanc 7 fitoresh dhe 3 humbjesh.
Padyshim, një pozicion të tillë në tabelë për Vllazninë askush nuk e kishte parashikuar, kur kemi parasysh problematikën e madhe që kjo skuadër kishte në aspektin organizativ. Por, puna serioze dhe plot përkushtim nga ana e trajnerit Damian Bekteshi dhe kolegut të tij Roni Gjeçaj bëri që nga java në javë skuadra kuqeblu të konsilidohej, me një kordimim perfekt mes elementit me përvojë me atë të ri, si dhe dy-tre të huajve.
Në këtë mënyrë nuk vonuan dhe rezultatet pozitive, ku mes tyre flet qartë edhe fitorja e mbrëmjes së shtunë, kur kuqeblutë mundën me meritë ekipin e Elbasanit me rezultatin 102 me 84.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” nuk nisi mirë për Vllazninë, teksa Elbasani i drejtuar nga traneri kosovar, Fabjan Gjuka, që më herët ka drejtuar edhe Vllazninë, mori kryesimin në 0 me 6. Por, vetëm kaq, sepse në vazhdim dhe deri në fund të takimit, Vllaznia do të ishte në kryesim të rezultatit.
Kuqeblutë arritën të fitojnë të katër periodat e ndeshjes, 25 me 21 të parën, 21-16 të dytën, 24-19 të tretën dhe 32-18 të katërtën duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me fitoren e merituar, 102 me 84.
Pikëshënuesi më i mirë i Vllaznisë në këtë ndeshje ishte, Tucker me 26 pikë, për të vijuar me Sab 23 pikë, Gjeçaj 22, Rakaj 19, Anthony 8 dhe Bitri 4.
(Video) Ndeshja Vllaznia-Elbasani 102-84. Pjesa e parë dhe e dytë, të plota me koment.
Gaspër MARKU