Skënderbeu-Vllaznia është padyshim një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 27-të të kategorisë Superiore. Sfida në fjalë do të luhet pasditen e së hënës në stadiumin “Skënderbeu” duke përballur dy skuadra që aktualisht janë pjesë e katërshes finaliste. Vllaznia e vendit të dytë me 46 pikë dhe Skënderbeu i katërti me 37 pikë.
Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani kërkojnë vijueshmërinë e rezultateve pozitive duke synuar të kapin Egnatian kryesuese me katër pikë më shumë sesa kuqeblutë. Të njëjtën gjë synojnë edhe korçarët, të cilët ndjejnë nga poshtë presionin e Dinamos dhe të Tiranës që e ndjekin me një dhe dy pikë më pak.
Në prononcimin e dhënë në prag të kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani, vlerëson skuadrën korçare si një nga ekipet që luajnë futboll cilësor në Shqipër, por nga ana tjetër është optimist për marrjen e një rezultati pozitiv.
Ndër të tjera, Osmani thekson se skuadra e drejtuar prej tij është gati për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, ndërkohë që flet edhe për problematiken e dëmtimit të dy portjerëve të parë. “Dy portjerët e parë janë të lënduar, por besoj se deri të hënën, njëri prej tyre mund të jetë i gatshëm”, u shpreh Osmani, duke mbetur me shpresë për rikuperimin e Kristi Qarrit, por që gjithësesi, me skuadrën janë edhe dy portjerët e rinj, 19 vjeçarët, Aron Jukaj dhe Rezart Bunjaj të Vllaznisë U21, të cilët kanë udhëtuar me skuadrën në këtë pragndeshje.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë Qatip Osmani në pragndeshjen, Skënderbeu-Vllaznia. Superiore, java e 27-të.