Apolonia-Vllaznia 84-86( 27-15, 19-34, 15-19, 23-18)
Pikëshënuesit e Vllaznisë: Saab(29), Tucker(20), Rakaj(16), Ëilkins 13, Gjeçaj(8)
Emocione pa fund kanë shoqëruar përballjen Apolonia-Vllaznia në basketboll për meshkuj. Takimi i luajtur në pallatin e sportit të qytetit të Fierit ka qënë shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, të cila kërkojnë një renditje sa më të mirë për fazën finale Play Off të për kategorinë e Superligës.
Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi kanë arritur të fitojnë në frymën e fundit me një diferencë prej dy pikësh, 84-86 Për të shkuar tek vërshëllima e fundit e minutës 40-të, takimi në fjalë është shoqëruar me një rivalitet të madh gjatë të gjithë ndeshjes.
Në fakt, kuqeblutë nuk e kanë nisur aspak mirë, kur në periodën e parë janë mundur me shifrat 27 me 15. Por, ndërhyrja e teknikut Bekteshi ka dhënë efektin e duhur duke prezantuar një Vllazni krejt ndryshe, kur në dhjetëminutëshin e dytë, Vllaznia shënon një numër të konsiderueshem pikësh, 34-të të tilla duke pësuar vetëm 19-të. Në këtë mënyrë, pjesa e parë mbyllet me avantazhin e kuqebluve, 46-49.
Vllaznia vazhdon të luajnë më mirë se kundërshtari edhe në periodën e tretë, të cilën e fiton me shifrat 15 me 19 duke e rritur avantazhin e përgjithshëm pas tre periodave, 61 me 68.
Në dhjetëminutëshin e fundit të periodës së katërt, Apolonia e mbështetur nga tifozëria vendase bën të gjithë përpjekjet për ta fituar këtë ndeshje ndaj një rivali direkt në klasifikim. Fierakët arrijnë ta fitojnë periodën e katër, 23 me 18, por pa mundur të frenojnë fitoren e Vllaznisë me shifrat e ngushta, 84-86.
Fitorja në fjalë është shumë e rëndësishme për Vllazninë , pasi e afron edhe më shumë me skuadrat kryesuese duke qënë favoritë për vendin e tretë të klasifikimit, ndërkohë që po përgatitet intensivisht për fazën finale Play Off.