Tërbuni i Pukës duket se ka lënë pas oshiolacionet e fazës së parë, ku lënia e shumë pikëve, brenda dhe jashtë fushës së tyre e stakuan nga skuadrat e kreut të renditjes duke mos e patur mundësinë e kualifikimit në kategorinë e parë si fituese e grupit A, për të cilën aktualisht janë në garë Besëlidhja dhe Valbona.
Megjithatë, disa fitore radhazi në afzën e dytë, përfshirë edhe këtë të javës së fundit ndaj Murlanit 3-1, kanë konsiliduar praninë e pukjanëve në katërshen e parë që të çon në fazën finale Play Off.
Pas fitores me barbulluashit e Murlanit, ku kontribuan golat e futbollistëve shkodranë, Jurgen Gjini dy dhe Rigers Xhahysa një, trajneri Sinan Bardhi shprehet i kënaqur me lojën e skuadrës së tij duke besuar për një vazhdimësi pozitive edhe në javat në vazhdim, përfshirë edhe ato Play Off.
“Ne erdhëm nga fitorja në fitore, pavarësisht se kishim ndërprerje pauze. Kemi bërë disa ndeshje të bukura dhe marrë të pikë të vlefshme. Fitorja ndaj Murlanit ishte në vazhdën e ecurisë pozitive të kësaj faze. Sot, ndeshja kishte dy tabllo, pamvarësisht se kaluam në avantazh në pjesën e parë, na barazuan me një goditje standarte. Dhamë detyrat tona taktike duke marrë rezultatin e duhur në pjesën e dytë dhe në fund fitoren e merituar.
Pothuajse vendin e katërt e kemi siguruar. Kemi ndeshjen e javës së ardhshme me Besëlidhjen, një skuadër me tradita, që e konsiderojnë si një ndeshje të radhës. Ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë për të luajtur një futboll të pastër.
Sipas kalendarit, Tërbuni i ka ndeshjet e favorshme për të mbajtur vendin e katërt dhe për të shkuar në Play Off, por megjithatë, duhet kujdes deri në fund, sepse futbollit nuk i dihet. Gjithësesi, objektivi ynë është përqëndrimi maksimal për fazën finale, duke kërkuar rikthimin në kategorinë e parë.”, është shprehur trajneri i Tërbunit, Sinan Bardhi.
(Video) Pamje nga ndeshja Tërbuni-Murlani 3-1, si dhe prononcimi i trajnerit të Tërbunit Sinan Bardhi.
Gani PEMAJ / Fadil HYSENI