Basania FC-FC Bulqiza 1-1(Shënues: Zagani 84’/Murrja 58’)
Basania FC: Marku, Shema, Kola, Mila, Nikshiqi, Zagani, Soumah, Zefi, Silva, Hoffmann(U aktivizuan: Drabeja, Leka, Canja, Puka). Trajner: Fatjon Hasani
FC Bulqiza: Mertkola, Kadiu, Ramazani, Merepeza, Merdini, Murrja, Mamutaj, Prenga, Saliaj, Mersini, Lika.(U aktivizuan: Uka).
Gjyqtarë: Klodian Prenga, E. Burgu, O. Loci-I katërt: Blerim Ziri. Vëzhgues: Ridvan Kulli
Tre javë nga fundi i Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e tretë, Basania , konkuruese në grupin “A” ka bërë një hap të gabuar duke barazuar në shtëpi me Bulqizën.
Ndeshja e luajtur pasditen e së dielës në fushën sportive të Bushatit për llogari të javës së 12-të ka qënë shumë e rëndësishme për Basanian, e cila me një fitore të mundshme do të vazhdontë të mbante kryesimin e tabelës së klasifikimit e shkëputur me tre pikë nga ndjekësit e saj.
Por, përkundër dëshirës, Basania u gjend në disavantazh 0-1 në minutën e 58-të, ndërkohë që iu desh shumë punë dhe volum për të barazuar rezultatin në minutën e 84-të me anë të kapitenit Zagani.
Një barazim që ngriti peshë entuziasmin e tifozërisë bushatase, e cila me brohoritjet e saj nxiti skuadrën e saj që të rriste akoma më shumë presionin ne portën kundërshtare në kërkim të golit të avantazhit.
Për rreth dhjetë minuta, së bashku edhe me ato shtesë, loja Egnatia luajti me një portë, por golin nuk arriti të dalë në dritë, as atëherë kur në aksionin e fundit përpara se arbitrit Klodian Prenga të vërshëllente për mbylljen e ndeshjes, kapiteni Zagani pati një mundësi të artë t’i jepte tre pikë skuadrës së tij.
Me këtë barazim, pas javës së 12-të, Basania vazhdon të jetë në krye të klasifikimit me 24 pikë. Por, dy pikët e lëna në shtëpi i kanë dhënë mundësi rivalëve të saj të barazohen me pikë me të. Kështu, Eagles që fitoi 7-1 ndaj Kinostudios dhe Arnisa që mundi Prestige 2 me 1 kanë të njëjtën kuotë pikësh me Basania duke hapur një garë të ashpër deri në fund të kampionatit. Ndërkohë, matematikisht në lojë është edhe Bulqiza, e cila barazoi me këtë javë me Basanian, që renditet në vendin e katërt me 22 pikë.
Gjithësesi, edhe pse me këtë hap të gabuar, Basania i ka të gjitha mundësitë, që kur janë edhe dy javë për t’u luajtur, me një ndeshje në shtëpi me Klosin dhe një tjetër në transfertë, nëse merr dy fitore radhazi, siguron automatikisht të drejtën e kualifikimit në kategorinë e dytë si e para e grupit. Në rast të kundêrt, një opsion tjetër mbetet edhe faza Play Off, si e dyta e grupit.
(Video) Pamje nga ndeshja, Basania FC-FC Bulqiza, 1-1. Si dhe prononcimi pas ndeshjes i trajnerit të Basanias, Fatjon Hasani.
Gaspër MARKU