Vllaznia në volejboll për femra ka bërë realitet një përforcim shumë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për veshjen kuqeblu të një volejbolliste amerikane, e cila në CV-në e saj paraqitet me një karrierë të pasur sportive. Ajo është 24 vjeçarja Taurie Magee, e cila vjen në Shkodër pas një përvoje të fundit si pjesë e ekipit Azerrail Baku në kampionatin azerbajxhanas.
Me një shtatlartësi të admirueshme, 1 metër dhe 85 centimetra, amerikanja Taurie Magee pritet të shërbejë në formacionin e Vllaznisë duke luajtur në pozicionin e qëndrës duke qënë një forcë më shumë për skuadrën e drejtuar nga trajnerja Nora Deda.
Zyrtarizimi i volejbollistes amerikane si pjesë e Vllanzisë është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Shoqatës së Volejbollit Ferma Vllaznia, në të cilën shkruhet”
Welcome TAURIE MAGEE!
Vllaznia Volleyball arrin marreveshje me shtatlarten amerikane Taurie Magee e cila luan ne pozicionin qender. Taurie me eksperiencen e saj ne disa shtete te ndryshme pritet qe bashke me skuadren te arrijne objektivat e ketij sezoni. Suksese!”
Nga sa bëhet e ditur, trajnerja Nora Deda e ka planifikuar blerjen më të re Taurie Magee të luajë në formacionin e parë në ndeshjen e javës së dytë, të cilën Vllaznia do ta ketë këtë të premte në Shkodër për t’u ndeshur me ekipin kryeqytetas, Barleti Volej.
Kujtojmë që në javën e parë, Vllaznia e volejbollit femra u mund në shtëpi nga Pogradeci me rezultatin 1 me 3, ndërkohë që ky është momenti për të marrë fitoren e parë në kampionat. Krahas ekipit të femrave, këtë fundjavë në Shkodër luan edhe ekipi i meshkujve, i cili i drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, do të përballet me ekipin e Elbasanit.