Monday, November 25, 2024

Kosova zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Lituanisë, trajneri Foda e Kapiteni Rrahmani: Luftojmë për tri pikë

Lexo

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para përballjes së nesërme kundër Lituanisë, e cila do të nisë në orën 15:00, në kuadër të Ligës së Kombeve. Gjatë paradites, lojtarët vizituan stadiumin “Darius ir Gireno” në Kaunas, duke kryer një ecje në fushë për t’u ambientuar, pasi UEFA vendosi që stërvitjet zyrtare të mbahen në një fushë alternative për shkak të zhvillimit të dy ndeshjeve brenda pak ditësh në të njëjtin stadium.
Në seancën stërvitore të mbajtur pasdite, përzgjedhësi Franco Foda u fokusua te detajet taktike, duke përmirësuar reagimet e skuadrës gjatë situatave të goditjeve nga këndi dhe ndërprerjeve. Trajneri Foda dhe kapiteni Amir Rrahmani iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në konferencë për shtyp.
Foda theksoi se Kosova është përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe ka insistuar që skuadra do të luajë për fitore:
“Lituania është një ekip me qarkullim të mirë të topit, por ne jemi të përgatitur. Do të jetë një ndeshje e fortë, por qëllimi ynë është fitorja. Duhet të jemi kompaktë në mbrojtje dhe në të njëjtën kohë të tentojmë të zhvillojmë lojën tonë, me fokus për t’i fituar tri pikët”, tha ai.
Në lidhje me mungesën e Vedat Muriqit për shkak të lëndimit, Foda u shpreh:
“Kam një ide se kush do të luajë në sulm, por nuk dua ta zbuloj tani. Kemi pasur disa seanca stërvitore dhe kemi qartësuar disa ide. E rëndësishme është të luajmë futboll dinamik dhe ofanziv, por gjithashtu të mbajmë kompaktsinë në mbrojtje”, shtoi ai.
Foda pranoi rëndësinë e ndeshjes kundër Lituanisë për ecurinë në grup, duke theksuar se çdo ndeshje është jetike:
“Secila ndeshje është e rëndësishme. Nëse duam ta fitojmë grupin, duhet të fitojmë secilën ndeshje. Për këtë arsye, ndeshja e nesërme është aktualisht më e rëndësishmja”, tha ai.
Kapiteni Amir Rrahmani, i pyetur nëse Lituania është kundërshtar i lehtë pas dy humbjeve të para, u shpreh se skuadra kundërshtare ka luajtur mirë pavarësisht rezultateve:
“I kanë humbur dy ndeshjet e para, por nuk është reflektim i asaj që kanë treguar në fushë. Në ndeshjen ndaj Rumanisë, deri në fund rezultati ishte barazim 1:1. Duhet të jemi të përqendruar dhe t’i shfrytëzojmë rastet që krijojmë për ta fituar ndeshjen”, tha ai.
Kapiteni gjithashtu theksoi rëndësinë e besimit në çdo ndeshje: “Duhet të vazhdojmë të besojmë. Nëse hyjmë në çdo ndeshje për fitore, atëherë do ta shohim në fund se çfarë do të arrijmë”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img