Esat Mala, futbollisti nga Prizreni që luan për kuqeblutë e Vllaznisë mori vlereësime shumë pozitive në ndeshjen e së shtunës së kaluar nga Partizanit, teksa, edhe pse u aktivizua nga stoli, shënoi golin e dytë dhe të avantazhit, gol i cili mbeti në fuqi deri në minutat shtesë të ndeshjes, atëherë kur Mba fiksoi barazimin, 2 me 2.
Në një prononcim për “Panorama Sport” të dhënë menjëherë pas ndeshjes, Mala, sqaron faktin pse e nisi nga pankina duelin e po ashtu mos festimin e rrjetës së tij. Mesfushori gjithashtu thekson se Vllaznia humbi dy pikë në këtë duel.
Esat, pritej të ishit titullar, pse e nisët nga stoli?
Kam pasur një shqetësim në seancën e fundit stërvitore. Prandaj nuk mund ta nisja nga fillimi ndeshjen. Nuk doja të rrezikoja dhe së bashku me trajnerin e stafin mjekësor vendosëm se më e mira do të ishte të mos e nisja nga fillimi.
Ishte rezultat i drejtë ky barazim 2-2 kundër Partizanit?
Ishte një ndeshje e luftuar kundër një ekipi pretendent. Mund të them se humbëm 2 pikë, sepse e pësuam golin në fund. Por i tillë është futbolli dhe ne duhet të përmirësohemi çdo herë e më shumë.
Pse nuk po gjen reagimin kjo Vllazni? 4 ndeshje radhazi pa fitore për kuqeblutë…
Ekipi nuk ka luajtur dobët në këtë ndeshje. Diku fati, apo edhe diku gabimet tona kanë ndikuar që të mos marrim fitoren në këto katër ndeshje. Prandaj na lind deryra të punojmë fort dhe të rikuperojmë duke nisur që nga ndeshja e radhës kundër Tiranës.
Shënuat dhe nuk festuat. Respekt për Partizanin?
Patjetër që po. Partizani është ekipi im i parë në Superiore. Kam kaluar momente fantastike aty, me tifozë të mrekullushëm, prandaj nuk mund të festoja, pavarësisht se unë jam profesionist dhe do të shënoj sa herë të kem mundësi. Unë tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe do të jap maksimumin për këtë skuadër ndaj çdo kundërshtari.
Endri ÇINARI