Klubi shkodran ka mbyllur kërkimet për pasuesin e Edi Martinit duke i besuar drejtimin e skuadrës teknikut me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare.
Presidenti Alban Xhaferi ka zgjedhur 62-vjeçarin Csaba Laszlo i cili pritet të prezantohet gjatë kësaj jave dhe të bëjë debutimin në pankinën kuqeblu në sfidën e fundjavës ndaj Dinamos.
Laszlo me origjinë hungareze i lindur në Rumani dhe me pasaportë gjermane vjen me një CV të pasur.
Gjatë karrierës së tij ka drejtuar përfaqësueset e Ugandës dhe Lituanisë ndërsa ka qenë gjithashtu pjesë e stafit teknik të Kombëtares së Hungarisë.
Në nivel klubesh ai ka drejtuar emra të njohur si Ferencvarosh,Hearts në Skoci,Charleroi,Dundee,MTK Budapest dhe Sepsi OSK.
Një nga periudhat më të spikatura të karrierës së tij ishte ajo në Skoci ku në vitin 2009 u vlerësua si trajneri i vitit pas paraqitjeve me Hearts.
Ndërkohë në vitin 2005 kishte mar të njëjtin vlerësim edhe në Hungari pas punës së bërë me Ferencvaroshin.
Vllaznia i beson kështu një trajneri me eksperiencë në disa kampionate dhe kultura të ndryshme futbolli me objektivin për të ndryshuar ecurinë e skuadrës dhe për ta rikthyer në garën për objektivat madhorë të sezonit.
Tashmë gjithçka mbetet për t’u parë në fushë se çfarë do të sjellë Csaba Laszlo te Vllaznia dhe a do të arrijë ta rikthejë skuadrën kuqeblu në luftën për titull?
Fatos LAMAJ


