Sunday, November 24, 2024

Devi Bregu e mban Teutën në krye, Martini i kënaqur me fitoren ndaj Skenderbeut, beson shumë tek titulli

Lexo

Ka mjaftuar goli i shënuar me penallti në minutën e 43-të nga Dejvi Bregu që  Teuta të mund në transfertë Skenderbeun me rezultatin minimal 1 me 0. Durrsakët i gëzohen tre pikëve të marra, të cilat Teuta i kërkonte më tepër se kurrë, jo vetem për të mos lëshuar kreun, por edhe për të rikthyer besimin në skuadër pas atij eleminimi të paparashikuar në Kupë po nga Skenderbeu. Me 52 pikët e grumbulluara, Teuta e drejtuar nga shkodrani Edi Martini vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimit e ndjekur nga Vllaznia dhe Partizani me nga 50 pikë , si dhe Laçi me 48 pikë.

Për teknikun e Teutës, shkodranin Edi Martini, suksesi në këtë ndeshje erdhi edhe nga disa ndryshime që skuadra manifestoi në këtë ndeshje në krahasim me ndeshjet paraardhëse. “Bëmë disa ndryshime, jo vetëm në formacion por edhe në mënyrën e të luajturit. Ndryshuam krahët, ku Skënderbeu kishte pikat më të forta, qarkulluan topin. Skënderbeu ka bërë lojëra mjaft të mira, ka mundur disa ekipe. Në këtë javë u përgatitëm nga gjendja psikologjike e cila ishte e rënduar dhe reaguam mjaft mirë.”, tha Martini.

Sipas Martinit, kjo ishte një fitore e dyfishtë, morali është kryesor dhe pikët janë shumë të rëndësishme. “Ekipi jonë di të dalë nga momentet e vështira. I përgëzoj djemtë në maksimum, jam i kënaqur me fitoren e sotme, çfarë ka ikur ka ikur për sa i përket Kupës, nuk mund të kthejmë dot gjë mbrapa. Unë jam i kënaqur me djemtë që kam. Nuk mund të qaj asnjë ndeshje që kemi humbur. Kemi dhe 8 finale. Jemi këta që jemi, do të luftojmë deri në fund për objektivin tonë. Kjo është e rëndësishme, nuk duhet ta kthejmë kokën mbrapa.”, theksoi Martini në proncimin e pasndeshjes.

Martini është i kënaqur për udhëheqjen e kampionati, por gjykon se dy pikë më shumë se kundërshtari nuk janë asgjë. “Ne jemi një ekip që nuk kërkojmë të shfrytëzojmë kundërsulmin, kërkojmë të marrim qarkullimin e topit. 2 pikë duken shumë, por mjafton një rrëshqitje e këmbës. Duhet t’i bëjmë yzmetin vetes dhe të mos merremi me klasifikimin. Janë 24 pikë në lojë. Duhet të jemi shumë të përqendruar, të luajmë dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. E kam përjetuar kampionatin kur doli Teuta kampion, më pas u largova drejt Sllovenisë”, nënvizoi Edi Martini në pronocimin e dhënë pas ndeshjes, Skenderbeu-Teuta e mbyllur me fitoren durrsake 0-1.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img