Friday, December 20, 2024

“Vllaznia nuk më bind, e çuditshme që është pretendente”, Cungu analizon Superioren: Tirana rrezikon rënien, ja kush shkon në Final Four

Lexo

Armando Cungu është çuditur nga fakti se Vllaznia është mes pretendenteve për të fituar titullin kampion në këtë sezon. Trajneri i njohur, në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ka analizuar Superioren dhe garën për titull të saj.

Sipas tij, Vllaznia nuk bind dhe nuk duket në lartësinë e skuadrave të tjera pretendente, ku Dinamo po bën diferencën. Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, ai theksoi se tashmë Tirana është një nga skuadrat që rrezikon rënien.

Profesor, gënjejnë shifrat në futboll? Shifrat thonë që pas dy fazash kryeson Dinamo. A është Dinamo ekipi më i mirë?
Të them drejtën, ka bërë paraqitje të mira që me ardhjen e Dajës. Dinamo ka qenë ekip solid, jo rastësisht është në vendin e parë. Ka patur shumë luhatje, i referohem një ndeshje me Laçin.

E prisje Dinamon në këtë pikë, dhe ajo që tifozët janë më shumë të interesuar, i ka Dinamo kartat në rregull për të fituar titullin?
Në futboll ndodh gjithçka, jo gjithmonë fiton më i forti. Nëse flasim për kontingjentin e ekipeve, Partizani mund të jetë një nga ekipet që ka më shumë kontingjent se të tjerat. Dinamo ka ndryshuar me ardhjen e Dajës, jo vetëm në mentalitetin, por edhe në sistem loje.

Me 31 pikë e ndjek Vllaznia, po Vllaznia të bind profesor?
Vllaznia nuk më bind, të jem i sinqertë. E çuditshme që gjendet në këto ujëra, pra pretendente. Po të marrim parasysh ndeshjen e fundit ndaj Laçit, raste më të mira patën këta të fundit. Mos të harrojmë edhe problemet e Vllaznisë, si për shembull dëmtimet.

Duket një ekip i ndarë në dysh, i fortë në Shkodër, i brishtë në transfertë. Pse?
E thashë më përpara, nuk bind me lojën. Ka emra të mirë në përbërje, por dëmtimet kanë bërë punën e vet. Në këtë situatë alarmante, stafi duhet të ndalet dhe të analizojë me drejtuesit. Nuk është logjike të ketë kaq shumë dëmtime.

Të premten luan në kryeqytet ndaj Partizanit, si e sheh këtë takim, kë sheh favorit?
Ndeshje e hapur. Kushdo mund të fitojë këtë ndeshje. Ka prioritet Partizani, për shkak të dëmtimeve të Vllaznisë.

Katërshja e Final Four plotësohet nga Partizani dhe Egnatia. A është kjo katërshja finale, katërshja që do të diskutojë titullin?
Po, unë mendoj që po. Kjo katërshe është e shkëputur. Dinamo, Vllaznia, Partizani e Egnatia do të garojnë. Pjesa tjetër është e shkëputur. 6-shja e fundit mund të rrezikojë cilado për të rënë më poshtë.

Nga vendi i 7-të Tirana me 18 pikë dhe Skënderbeu i vendit të fundit diferenca është vetëm 3 pikë, a rrezikon Tirana profesor?
Tirana rrezikon me pikët që ka dhe me lojërat që ka zhvilluar. Kam patur mundësi që të hap kampionatin duke pritur Tiranën në Laç, ndeshje e mbyllur 0-0. Më pëlqeu Tirana, kishte bërë goditje në merkato. Çaloi në vështirësi. Nuk mund të them që Tirana nuk ka kontingjent për të qenë në katër vendet e para. Tirana ka probleme që më mirë se ata vetë, nuk i di askush.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img