Vllaznia-Prishtina 3-0(Shënuese: Klaudia Borçi(3))
Vllaznia dhe Prishtina janë përballur pasditen e sotme në një miqësore ndërkombëtare, takim ky i luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës. Pas dy miqësoreve të para, fitore 3-0 me Buduçnostin dhe barazim 1-1 me Mitrovicën, kjo ishte miqësorja e tretë në harkun kohor të dy javëve, të cilat skuadra kuqeblu po i shfrytëzon në mungesë të ndeshjeve zyrtare të Kupës së Shqipërisë, ku ajo mungon për arsye të një dënimi marrë që vitin e kaluar nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.
45 minutat e para janë shoqëruar me një luftë të fortë sportive, ku meritë për këtë ka edhe skuadra e Prishtinës e drejtuar nga ish futbollistja e njohur e Vllaznisë Suada Jashari. Megjithatë, vajzat kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka, e fitojnë këtë pjesë me rezultatin 1 me 0, falë një goli mjeshtror të shënuar nga sulmuesja e re Klaudia Borçi.
Do të jetë po kjo futbolliste, e cila ndonëse 19 vjeçare, tekniku Leka i ka beuar majën e sulmit në formacionin kuqeblu, e cila falë talentit të saj arrin të tund edhe dy herë të treja rrjetën e portës kundërshtare të Prishtinës.
Edhe pse janë ndëshkuar me tre gola, një në pjesën e parë dhe dy në të dytën, futbollistet mysafire nga Prishtina, zhvilluan një lojë të hapur dhe me theks sulmues duke rrezikuar disa herë portën e Vllaznisë, por pa arritur të shënojnë asnjë gol në portën kuqeblu.
Në këtë mënyrë, Vllaznia është fituese e kësaj miqësoreje me rezultatin e pastër 3 me 0. Fitore kjo, ku së bashku me atë ndaj Buduçnostit me të njëjtin rezultat, si barazimin 1-1 ndaj Mitrovicës, ndeshje këto të luajtura në Ulqin, janë tregues i një forme shumë të mirë sportive të skuadrës kuqeblu, çka garanton se kryesimin me meritë të pjesës së parë të sezonit, do të vijojë ta mbajë edhe në pjesën e dytë të sezonit, me objektiv fitimin e titullit kampion.
(Video) Përmbledhje dhe golat e ndeshjes, Vllaznia-Prishtina(3-0) në futboll femra, si dhe prononcimet e trajnerit të Vllaznisë Nikolin Leka, trajneres së Prishtinës, Suada Jashari, si dhe autores së tre golave të kësaj ndeshjeje, Klaudia Borçi.
Gaspër MARKU