Fatbardh Jera, një nga emrat e njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, në një intervistë për “Panorama Sport” analizon kampionatin e Superiores. Shkodrani “veçon” Vllazninë për ecurinë e këtij edicioni dhe thekson se skuadra duket në rrugë të mbarë për të rikthyer titullin pas 24 vitesh mungesë. Ai gjithashtu kërkon që ekipi të ketë qëndrueshmëri në lojë, përveç rezultateve. Ish-kampioni i vendit me kuqeblutë në sezonet 1982-83 dhe 1991-92 dhe ish-lojtari i Kombëtares, ndalet te shanset për titull kampion të Vllaznisë dhe gjykon se është viti i duhur për suksesin që Shkodra e pret prej shumë kohësh.
Profesor, si e keni parë deri tani Superioren?
Ndonjë surprizë, apo zhgënjim? Superiorja ka qenë rivalizuese për kreun, sidomos mes 4 skuadrave: Egnatias, Vllaznisë, Partizanit dhe Dinamos. Nëse i referohemi ecurisë së deritanishme, me gjasë kjo katërshe do të shkojë në “Final 4” për të përcaktuar ekipin kampion. Pjesa tjetër e skuadrave ka shfaqur oshilacione të konsiderueshme, ndaj vështirë t’i bashkohet katërshes së parë. Ato do të luftojnë për të evituar vendet e fundit, që të shpien direkt një kategori më poshtë.
Në këtë vorbull, si rrallë herë, është përfshirë edhe Tirana, skuadra më e titulluar në futbollin tonë. Ndryshimi tërësor i grupit të lojtarëve të sezonit të kaluar, pra revolucioni total, përfshirë edhe stafin teknik, kërkon kohë për rezultatet e duhura. Tirana është prova e qartë e kësaj, sepse në këtë kampionat nuk ka valenca pretendenteje për titull. Në njëfarë mënyre, është humbje jo e vogël në rivalitetin për titull. Rolin e sfidantit kryesor të Partizanit në derbin e kryeqytetit e ka marrë Dinamo, që nën drejtimin e Ilir Dajës është tjetërsuar për mirë. Dinamo ka një grup të konsoliduar lojtarësh me eksperiencë dhe stol cilësor. Ndoshta ka pasur një farë krize në ndeshjet e fundit, por është ndër skuadrat më cilësore të Superiores. Sfida e radhës me Vllazninë do të jetë “pasqyra” reale për skuadrën e Dajës, teksa javët kalojnë dhe hapat fals nuk preferohen.
Vllaznia, ish-ekipi juaj, ka një ecuri mjaft pozitive…
Vllaznia është mes pretendentëve të Superiores, e tregon ecuria dhe renditja. Ajo është me fat që ka një sulmues, lider dhe kapiten si Bekim Balaj. 14 golat e tij dëshmojnë potencialin e një sulmuesi luksi për kampionatin tonë. Por futbolli është sport kolektiv, suksesi afatgjatë varet nga grupi i konsoliduar, qëndrueshmëria, por edhe stoli cilësor. Pikërisht në këtë të fundit e shoh Vllazninë paksa më larg se rivalët për titull, sidomos në raport me Egnatian dhe Dinamon.
Skuadra shkodrane duket me një fytyrë tjetër në 2025-ën. Çfarë mendoni se ka ndryshuar?
Formacioni titullar duhet konsideruar konkurrues, por kur vjen puna të zëvendësimet, apo rotacionet, mjaft të rëndësishme në një kalendar të ngjeshur ndeshjesh, ato kanë rëndësi të madhe. Te Vllaznia bie në sy edhe luhatja brenda një pjese loje, jo më brenda një ndeshjeje e nga java në javë. Stafi teknik nuk ia ka dalë të shpalosë një Vllazni të njëtrajtshme brenda ndeshjes dhe kjo duhet rregulluar. Ama, Vllaznia ka shënuar më shumë gola se çdo skuadër tjetër, 41, ku del në pah efikasiteti i Balajt. Sfida e radhës ndaj Dinamos do të jetë sprova reale e vazhdimësisë.
A mund të ketë Vllaznia një qasje tjetër, sepse tifozët shkodranë kërkojnë gjithmonë spektakël?
Në futboll më shumë se gjithçka vlen rezultati. Pra, aty ku nuk mungojnë rezultatet pozitive, mund të justifikohen gjërat e tjera. Fakti që Vllaznia ka shënuar 41 gola, është tregues i lojës ofensive. Goli është bukuria e futbollit, i ekzalton tifozët. Në këtë aspekt, them se Vllaznia nuk është defiçitare ndaj tifozëve. Edhe renditja aktuale tregon se ka bërë mirë. Sa për qasjen tjetër, e përsëris, duhet të mos shfaqë dy ose më shumë fytyra brenda ndeshjes, por të jetë në lartësinë e duhur gjatë 90 minutave.
A mund ta fitojë titullin këtë herë Brdariç me këtë skuadër?
Këtë do ta tregojë fundi i sezonit. Vllaznia është mes pretendentëve për titull, por duhet ruajtur ritmi deri në finish. Mbetet të shihet nëse me grupin e lojtarëve që ka mund të rivalizojë në kampionat dhe në Kupë. Me Brdariç skuadra shkodrane ka luajtur futboll atraktiv. Në eksperiencën e parë thuajse fitoi titullin, ndërsa këtë herë ka në skuadër një sulmues si Balaj, i cili, me golat e shënuar në raport me totalin e ekipit, është thuajse 40% e Vllaznisë.
Sa i mungon titulli Vllaznisë?
Mungesa e titullit ndjehet shumë në skuadrat me emër, sikurse është edhe Vllaznia. Për ta fituar duhet të jesh në maksimum gjithë kampionatin, të kesh lojtarë cilësorë dhe të mësuar me trofe. Rivaliteti është i madh, po të kesh parasysh skuadra shumë cilësore, si Egnatia dhe Dinamo.
Por suksesi në futboll varet edhe nga gjëra të tjera. Ia uroj me zemër titullin Vllaznisë, është plotësisht në lojë, por duhen kaluar shumë sprova serioze deri në fund. Stafet teknike duhet të racionalizojnë energjitë, të mos mbërrijnë në “final 4” të rraskapitur, çka do të ishte vetëvrasje. Kjo kalon përmes rrotacioneve në formacion, shmangies së dëmtimeve. Lum kush e ka grupin më të plotë e cilësor, si Egnatia dhe Dinamo, sepse do të ketë më shumë alternativa në raste të papriturash.
Ndeshja e radhës ndaj Dinamos. Çfarë mund të presim në këtë përballje?
E shoh si sprovë reale për të dyja skuadrat, për ambiciet e tyre. Avantazhi i Vllaznisë është distanca prej 3 pikësh nga Dinamo, që i jep më tepër qetësi skuadrës së Brdariç. Po kështu, Dinamo nuk është në momentin e vet më të mirë, në ndeshjet e fundit nuk ka marrë maksimumin. Ka shënuar më pak dhe ka pësuar më shumë gola se Vllaznia. Nëse i vë statistikat në peshore, kuqeblutë janë më të favorizuar, por nuk mund të merret asgjë e sigurt ndaj një trajneri si Daja dhe grupit të lojtarëve që ai ka.
Sistemi me “final four”, a e ka zbukuruar garën?
“Final four” është njëlloj “play off”-i që përball 4 skuadrat më të mira mes tyre. Pra, nëse gjatë 36 javëve dikush është favorizuar apo penalizuar nga fati dhe aspekte dytësore, ka mundësin e “restart”- it. Një “fotofinish” mes 4 të barabartëve për titullin, një mundësi e artë për tifozët të shohin ndeshje plot rivalitet, por edhe shans për përfitime shtesë financiare të skuadrave.
Endri ÇINARI