I ndarë nga jeta pak ditë më parë në Itali në moshën 79 vjeçare, Shkodra ka përcjell me shumë respekt për në banesën e fundit legjendën e portës shkodrane dhe asaj shqiptare, Paulin Ndoja.
Në respekt të kësaj figure shumë të nderuar sportive që i ka dhë aq shumë Shkodrës së tij, fillimisht si portjer, fitues i disa trofeve me Vllazninë e viteve 70-të, por edhe si ekip duke qënë pjesë e stafit teknik në detyrën e trajnerit të portjerëve, KF Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, organizuan paraditen e së hënës së 21 prillit 2025 homazhe në hollin stadiumit “Loro Boriçi”.
Pas të mëdhenjëve, Medin Zhega, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Paulin Ndoja është i katërti në listën e kollosëve të futbollit shkodran që ndahet nga jeta duke u bashkuar në jetën e përtejme me kolegët e fushës së lojës, ikona këto të futbollit shqiptar, që lanë pas një histori brilante si sportistë, trajnerë, qyterarë dhe familjarë të nderuar.
Përpos komunitetit të gjërë shkodran, në ditën e lamtumirës për në banesën e fundit, ishin kolegë të fushës së lojës, Rauf Çanga, Zyhdi Basha, Selami Dani, Ahmet Meta, Fatmir Lugji, etj.
Ishte doktor Zyhdi Çoba, një bashkohës me të ndjerin Paulin Ndoja, që në kohën kur Ndoja i madh luante në portë, por edhe më pas kur ishte në pankinë së bashku me të si pjesë e stafit teknik.
Ishte Hysen Dedja, i cili në kohën kur drejtonte Vllazninë kishte në krah si trajner portjerësh Paulin Ndojën.
Ishte Armir Grima, që karrieren e suksessme sportive si portjer ia dediton trajnerit të tij Paulin Ndoja, që e stërviti nga mosha 14 vjeçare, dhe në vazhsim kur u shpallën kampion së bashku me Vllazninë, por edhe më pas, kur Grima ishte drejtues i KF Vllaznia dhe ish profesori i tij ishte në pankinën e Vllaznisë.
Ishin edhe Ferit Borshi, Nikolin Thana, Suad Lici, Vioresin Sinani, Alban Hasani, Elvis Plori, Ndriçim Shtunina, i pari si koleg në stafin teknik të Vllaznisë në cilësinë e zv.trajnerit, dhe po kështu edhe të tjerët si sportistë që patën fatin të punonin me trajnerin Ndoja.
Padyshim që në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit ishte edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka, i shoqëruar nga antari i Komitetit Ekzekutiv, shkodrani i minjëhohur i futbollit shkodran, Bardhyl Jera, presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Rajonale Futbollit Shkodër, drejtori teknik i kësaj shoqate Hysen Zmijani, si dhe Matilda Matija, zv.presidente e KFF Vllaznia dhe kandidate për deputete në Parlamentin Shqiptar.
Homazhe pranë trupit të pajetë të Paulin Ndojës bënë edhe presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi dhe e gjithë skuadra kuqeblu e këtij sezoni futbollistik me në krye trajnerin Tomas Brdariç dhe kapitenin Bekim Balaj, përfshirë edhe të gjithë sportistët dhe trajnerët e Akademisë Futbollit Vllaznia.
Dhe, së bashku me to, për të nderuar figurën e Paulin Ndojës, në homazhet e organizuara pranë stadiumit “Loro Boriçi” ishte edhe ish presidenti i KF Vllaznia, Valter Fushaj, që ashtu si edhe të tjerët, në prononcimin e dhënë për mediat e pranishme, vlerësoi figurën e Ndojës si trajner i portjerëve në ekipin e parë, si dhe në Akademinë Vllaznia.
Lista e emrave të futbollit, përfshirë edhe tifozërinë shkodrane që e ka duartrokitur në fushën e lojës, është e gjatë, por, mes tyre, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ish kolegët e tij të ekipeve të tjera të Shqipërisë, mes të cilëve veçojmë Faruk Sejdini, Agron Çobani, etj.
Respekti ndaj figurës së Mjeshtrit të Madh, Paulin Ndoja, shprehën edhe përfaqësuesit e Bashkisë Shkodër, me praninë e tre nënkryetarëve, Rudin Beka, Teuta Qyteza, Alban Preka, si dhe përfaqësues të partive politike të qarkut Shkodër, etj.
Pas homazheve të kryera në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”, nën shoqërinë e Bandës Frymore të qytetit të Shkodrës, kortezhi me trupin e pajetë të Paulin Ndojës, ka parakaluar nga stadiumi “Loro Boriçi” deri në sheshin qëndror të qytetit duke marrë mirënjohjen dhe respektin e qytetarëve shkodranë që kishin mbushur të dy anët e rrugës qëndrore të qytetit, dhe më pas destinacioni ka qënë në varrezat e Rrmajit, aty ku është prehur i qetë, Paulin Ndoja i madh.
Veriu Sport, i cili shoqëroi prej së afërmit të gjithë ceremoninë e lamtumirës në banesën e fundit, duke sjellë për publikun pamje dhe intervista me sportistë veteranë, drejtues dhe miq të Paulin Ndojës, përcjell ngushëllimet e sinqerta për familjen Ndoja.
Lamtumirë legjendë! Pushofsh në paqe Paulin Ndoja. Do t’i mungosh fizikisht futbollit shkodran, do t’i mungosh të gjithëve, do të na mungosh edhe neve përfaqësuesve të medias, dhe mua personalisht, për respektin, thjeshtësinë dhe ngrohtësinë, që me dashamirësinë dhe çiltërinë e një njeriu të dashur, nuk kurseje t’ia përcjellje çdo kujt që të njohu, në Shkodër dhe më gjërë.
(Video) Pamje nga homazhet e kryera në stadiumin “Loro Boriçi” në nderim të Paulin Ndojës, ceremonia mortore, si dhe prononcimet e kolegëve, sportistëve dhe drejtuesve për figurën e legjendes së portës shkodrane.
Gaspër MARKU