Futboll Vajza U14- Përfaqësuesja Rajonale e Shkodrës mund në finale Tiranën 1-0, dhe shpallet kampione. Vendos goli i futbollistes së talentuar, Ecrin Ileri

 

Shkodra U14-Tirana U14, 1-0(Shënuese: Ecrin Ileri)

Eglisa Hardhija, Francesca Mllugja, Gabriela Hila, Ecrin Ileri, Ambra Reshiti, Eriana Haxhija, Françeska Hila, Aldisa Kronaj, Megi Preçi, Anida Jubani, Keida Hasaj, Emi Isufi. Trajner: Paula Jaku, trajner i portjerëve: Fabjol Rexhepi, fizioterapiste: Delfina Dervishej

Paula Jaku, ish futbollistja e njohur e Juban Danjes, si e ekipit kombëtar, tashmë i është përkushtuar detyrës së rëndësishme si trajnere e vajzave, me Vllazninë U17 dhe kombëtaren rajonale të Shkodrës U14.

Ndërsa kryeson kampionatin e 17-vjeçareve me vajzat kuqeblu, me kombëtaren rajonale të Shkodrës U14, Paula Jaku, duke pasur në krah edhe kolegun e saj, trajnerin e portjerëve, Fabjol Rexhepi, është shpallur për herë të dytë radhazi kampione e Shqipërisë.

Për të shkuar deri tek titulli kampion, është zhvilluar turneu i Shoqatave Rajonale për ekipet e moshës U-14 për vajza, me zhvillimin e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale. Ekipet pjesëmarrëse ishin të ndara në dy grupe. Grupi i parë përfshinte Fierin, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa grupi i dytë Tirana, Durrësi dhe Shkodra.

Pas përfundimit të fazës së grupeve, në gjysmëfinale u përballën ekipi rajonal i Korçës me përfaqësuesen rajonale të Shkodrës, dhe ekipi rajonal i Fierit me përfaqësuesen rajonale të Tiranës. Në këto ndeshje, përfaqësuesja rajonale e Shkodrës mundi Korçën me rezultatin 5-0, ndërsa përfaqësuesja e Tiranës triumfoi ndaj Fierit me rezultatin minimal 1-0.

Në finale, Shkodra u përball me Tiranën, ku vajzat shkodrane falë golit mjeshtror të shënuar nga futbollistja e talentuar Ecrin Ileria, rritën të fitojnë me rezultatin 1-0, duke u shpallur kampione të turneut.

Në ceremoninë e mbylljes, organizuar menjëherë pas përfundimit të finales, kupën e turneut ia dorëzoi kapitenes së ekipit fitues të Shkodrës, portjeres Ambra Reshiti, trajneri i Kombëtares Shqiptare U-19, Juljan Ahmataj.

Krahas të tjerave, në gëzimin e këtij suksesi të kombëtares rajonale të Shkodrës është përfshirë edhe Ferdinand Jaku, presidenti i Juban Danjes, i futur në histori si themeluesi i ekipit të parë të futbollit në Shqipëri, duke pasur krenarinë që vajza e tij Paula Jaku, arrin këtë sukses të rëndësishëm si trajnere.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu