(Intervista) Alsid Tafili: Të dy ekipet, Vllaznia dhe Egnatia e meritojnë finalen, por mendoj se kuqeblutë bëjnë diferencën dhe fitojnë titullin kampion

Alsid Tafili, ish-futbollisti i Vllaznisë ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” në një intervistë ekskluzive sezonin e shkodranëve.

Sipas ish-mesfushorit, kuqeblutë kanë pasur luhatjet e tyre, por tashmë gjithçka harrohet, duke parë se skuadra është në finalen e kampionatit. Ndër të tjera ai ka një koment edhe për duelin ndaj Egnatias, me pikat e forta dhe dobëta të kundërshtarit. Teksa beson shumë te një triumf përfundimtar i skuadrës së Brdariç, Tafili tregon edhe se kush mund të bëjë diferencën të hënën në “Arena Kombëtare”.

Tafili, një kampionat që mbyllet të hënën. Të drejta verdiktet e këtij sezoni?

Të hënën është finalja e këtij kampionati dhe unë mendoj se janë aty dy ekipet që gjatë gjithë sezonit kanë pasur një performancë të qëndrueshme dhe më të mirë se kundërshtarët. Besoj se të dyja ekipet, si Vllaznia dhe Egnatia, e meritojnë të jenë në finale, duke përligjur edhe pozicionimin e tyre si vendi i parë dhe i dytë në kampionatin e rregullt, prandaj tashmë gjithçka do të vendoset në një duel direkt mes tyre.

Kishte ndonjë skuadër që surprizoi apo zhgënjeu në syrin tuaj?

Nuk kam pasur zhgënjime apo surpriza, pasi për mua ekipet janë pozicionuar aty ku e kanë merituar. Nuk ka qenë një kampionat me shumë emocione dhe përballje për t’u shijuar. Besoj se niveli i Superiores nuk ka qenë aty ku duhej dhe pritej, ndoshta. Ekipet që arritën në “Final 4” ishin me meritë aty, por edhe me një organizim  dhe seriozitet më shumë të tjerët. Jo se ekipet e tjera nuk kishin seriozitet, por 4 skuadrat e para bënë diferencën me cilësinë e futbollistëve që kishin në përbërje.

Po Vllazninë në veçanti, me çfarë note mund ta vlerësonit sezonin e rregullt për kuqeblutë?

Vllaznia tashmë ka arritur në finalen e kampionatit dhe po e kërkon titullin me një dëshirë të madhe. Jo vetëm për klubin dhe futbollistët, por edhe gjithë qytetin dhe tifozët. Ka pasur problematika dhe luhatje në gjykimin tim në menaxhimin e disa elementëve, por të gjitha harrohen dhe kalojnë në plan të dytë në këtë moment. Pasi fokusi i skuadrës është vetëm ndeshja me Egnatian dhe fitimi i titullit kampion.

Ndeshja e fundit ndaj Dinamos, a tregoi që Vllaznia e ka stofin për kampion?

E kam thënë edhe herë të tjera që Vllaznia në skuadër ka disa elementë kyçë që mund ta çojnë skuadrën drejt suksesit. Patjetër kjo e ndihmon shumë ekipin dhe tregohet në fushën e lojës prandaj ky mund të jetë momenti dhe koha e duhur për këtë triumf.

E besoni se ky është sezoni i shkodranëve?

Besoj që po dhe këtë e them pa eufori apo si shkodran. Ekipi ka disa vite që lufton për zonat e sipërme të renditjes. Para pak sezonesh titulli u humb vetëm nga golavarazhi e po ashtu pjesëmarrjet në Europë kanë qenë të vazhdueshme këto 5 vite. Tani mungon vetëm titulli, që nuk vjen prej 24 vitesh në Shkodër dhe kjo është një periudhë e gjatë për këtë qytet si edhe për një skuadër si Vllaznia.

Cili mund të jetë një futbollist që do të spikasë në finale?

Mendoj se reparti që duhet të jetë në ditën e tij më të mirë duhet të jetë mesfusha. Ata mund ta ndihmojnë shumë manovrën e skuadrës si në mbrojtje, por po ashtu edhe në sulm. Nëse do të jenë në formën e tyre, do i lehtësojnë shumë punë Brdariç dhe ekipit në tërësi. Por, po ashtu, duke mos harruar edhe cilësitë individuale, me futbollistë si Mala apo Balaj, që mund të bëjnë diferencën në çdo moment.

Çfarë duhet të bëjë Vllaznia për një triumf ndaj Egnatias?

Realisht është një përballje jashtëzakonisht e fortë dhe nuk ka ndonjë recetë të caktuar se si arrihet te suksesi. Stafi duhet të analizojë ekipin kundërshtar në çdo detaj. Duke vlerësuar këto atëherë do bëjë diferencën fakti se kush e dëshiron dhe kërkon më shumë fitoren dhe titullin. Kush do japë më shumë në fushën e lojës përsa i përket grintës dhe karakterit do të jetë më afër fitores në opinionin tim. Pa harruar edhe faktorin fat, që ndonjëherë vendos shumëçka në futboll.

Një pikë e fortë apo edhe e dobët e rrogozhinasve?

Egnatia ka një zotërim topi mjaft të mirë dhe ka lëvizje taktike ku e interpreton shumë mirë 90- minutëshin. Pikërisht këtë duhet të synojë të “shkatërrojë” Vllaznia, prandaj them se mesfusha do të jetë deçizive në këtë duel. Ndërsa, nëse do të theksoja një “mangësi” te rrogozhinasit, janë kundërsulmet e kundërshtarëve. Këtë mund ta shfrytëzojë ekipi i Vllaznisë pavarësisht se edhe kundërshtarët do t’i marrin “masat”, ashtu siç do të bëjnë edhe kuqeblutë.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu