Tirana-Elbasani 2-2(Shënues: Redon Xhixha 30’, 54’/Ardit Nikaj 22’, Atdhe Mazari 37’)
Tirana dhe Elbasani kan ndarë nga një pikë në përballjen e vlefshme për javën e pestë të “Abisnet Superiore” me sfidën e zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe që u mbyll në barazim 2-2. Por, me lojën dhe rastet e krijuara, bardheblutë ishin më pranë fitores, kur pas dopietes në minutat 30 dhe 54, kapitenin e Tiranës, Redon Xhixha e ndali traversa në fund të takimit.
Referuar ecurisë së takimit, miqtë nga Elbasani kaluan të parët në avantazh në minutën e 23-të teksa ishte Nikaj që përfitoi nga një devijim i mbrojtësit Ndong dhe arriti të dërgonte topin në rrjetë duke i dhënë epërsinë verdhebluve.
Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm ndërsa ishte Redon Xhixha që riktheu baraspeshën me një finalizim të saktë duke ndezur edhe më shumë sfidën në kryeqytet.
Megjithatë Elbasani arriti të godiste sërish përpara pushimit ku pas një aksioni të ndërtuar bukur Mazari u gjend i lirë në zonë dhe në minutën e 37-të shënoi golin e dytë për miqtë duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin 2-1 të verdhebluve.
Në fraksionin e dytë Tirana hyri më kërkuese dhe arriti të gjente golin e barazimit.
Edhe këtë herë protagonist ishte Redon Xhixha i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2-2.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshoi dhe Tirana me Elbasanin u detyruan të kënaqeshin me nga një pikë në një sfidë me katër gola dhe ritëm të lartë.
Fatos LAMAJ


