Sunday, November 24, 2024

Turneu “Vlatko Marković” / Kombëtarja U-16 luan ndeshjen e dytë ndaj Rusisë. Shkodrani Xhoel Hajdari, titullar në mesfushën kuqezi

Lexo

Shqipëri – Rusi 0 – 1

Shqipëria U-16: Dervishi, Koleci, Çela, Damini, Belloj, Jaku (Laze 58’), Kashar, Duro (O’Boyle 70’),  Kurti, Hajdari (Isufi 70’) , Bode (Metaj 48’). Trajner: Agron Kërçova

Kombëtarja shqiptare U-16 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e dytë ndaj Rusisë në kuadër të turneut ndërkombëtar “Vlatko Marković”. Në sfidën e zhvilluar në Zagreb, djemtë e drejtuar nga Agron Kërçova bënë një ndeshje mjaft të mirë, por nuk arritën dot të fitonin, duke u mundur me rezultatin minimal 0-1. Formacioni titullar i Shqipërisë U-16 në këtë takim ishte ky: Dervishi, Koleci, Çela, Damini, Belloj, Jaku, Kashar, Duro, Kurti, Hajdari, Bode.

Siç e kemi theksuar edhe më herët, pjesë e kombëtares U-16 që po konkuron në Turneut ndërkombëtar “Vlatko Marković” janë edhe dy futbollistët shkodranë të Akademisë Vllaznia, mesfushori Xhoel Hajdari dhe mbrojtësi Egert Selmani. Falë aftësive të tyre individuale, që të dy futbollistët në fjalë u aktivizuan në sfidën e parë hapëse ku Shqipëria barazoi 2 me 2 ndaj Lituanisë. Ndërkohë, tekniku i përfaqësueses kuqezi, Agron Kërçova i ka besuar formacionin mesfushorit Xhoel Hajdari duke e aktivizuar edhe në sfidën e dytë kundër Rusisë, ku sipas informacionit që vjen nga Zagrebi ku po zhvillohet Turneu, Hajdari e ka justifikuar plotësisht besimin e trajneri Kërçova.

Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë mjaft të mirë, me raste të krijuara, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Pjesa e parë u mbyll kështu me shifrat 0-0. Në fraksionin e dytë të lojës, djemtë e Kërçovës kërkuan disa herë golin, por ishin të pafat. Tekniku kuqezi freskon skuadrën, duke hedhur në fushë fillimisht Metaj (Bode) në minutën e 48-të ndërsa në të 58-n minutë hedh në fushë Lazen (Jaku). Në minutën e 67-të të takimit, rusët kalojnë në avantazh, duke ndëshkuar kështu kuqezinjtë, pas një loje shumë të mirë. Kërçova bën edhe dy zëvendësime të tjera në minutën e 70-të, duke futur në lojë Isufin (Hajdari) dhe O’Boyle (Duro).

Pavarësisht rasteve të krijuara, kuqezinjtë nuk arritën dot ta ndryshonin rezultatin e lojës, duke u mbyllur kështu me rezultatin 0-1. Shqipëria U-16 është shortuar në Grupin B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë. 16 vjeçarët do të zhvillojnë ditën e nesërme (7 maj) takimin e radhës ndaj Bosnjë & Hercegovinës në ora 10:30.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img