Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Armir Grima, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë Vau-Dejës, Kristian Shkreli, ku në fokus ishte zhvillimi i futbollit në këtë zonë, me vëmendje të veçantë te ekipet e moshave dhe mbështetja për fëmijët e të rinjtë që merren me sport.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe Bashkisë Vau-Dejës, si dhe për rëndësinë e investimeve në ndërtimin dhe përmirësimin e fushave dhe terreneve sportive, për t’u krijuar fëmijëve dhe të rinjve kushte sa më të mira për stërvitje dhe zhvillim sportiv.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për të nxitur përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në aktivitetet futbollistike, për të mbështetur klubet dhe për të krijuar më shumë mundësi për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në zonën e Vau-Dejësit.
Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër e konsideron bashkëpunimin me pushtetin vendor thelbësor për zhvillimin e futbollit të moshave dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive. Krijimi i hapësirave të përshtatshme për sport është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë për futbollin dhe brezat e rinj.
Investimi te fëmijët dhe infrastruktura sportive është investim për të ardhmen e futbollit!


