Vllaznia, të hënën e 2 qershorit, në fushë. Trajneri Edi Martini, nis punën me kuqeblutë dhe prezanton blerjet e reja

Që prej finales së “Final 4” të mbrëmjes së 12 majit ndaj Egnatias, të cilën e humbën me rezultatin e thellë 4 me 0, kuqeblutë e Vllaznisë kanë shijuar pushimet, një pjesë në Shkodër, dhe një pjesë në qytetet e tjera të Shqipërisë, madje disa prej tyre edhe jashtë vendi.

Ndërkohë, stafi teknik ka vendosur, se dita e parë stërvitjes për përgatitjet e sezonit të ri sportiv, të nis pasditen e së hënës së 2 qershorit. Më fakt, paraprakisht, kjo seancë, e cila është e para për trajnerin Edi Martini ku do të prezantohet me skuadrën, ishte planifikuar të zhvillohej në stadiumin “Loro Boriçi”, por për shkak të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit vajza, Shqipëri-Kroaci, që zhvillohet të martën, kjo seancë është spostuar të zhvillohet në fushën sportive të Golemit duke filluar nga ora 18:00.

Një seancë e cila është e rëndësishme, jo vetëm për prezantimin e trajnerit të ri, por edhe skuadrën e re, një pjesë e mirë e së cilës pritet të jetë prezente në këtë seancë.

Arsid Kruja, shkodrani që kaloi dy sezone me Teutën, është i pari që është prezantuar zyrtarisht nga ana e drejtuesve të Klubit të Futbollit Vllaznia, por nga sa mësohet, stafi ka mbyllur marrëveshjet edhe me futbollistë të tjerë, të cilët pritet të bëhen pubkike nga vetë trajneri Martini në prononcimin që do të japë për mediat.

Por, përpos ardhjeve të reja, me interes është të mësohet se kush prej atyre që u ka mbaruar kontrata, dhe ato nuk janë pak,  do të vijojë të jetë, apo jo pjesë e skuadrës kuqeblu.

Të gjitha këto, si dhe të tjera, priten të mësohen me zbritjen e skuadrës në fushën stërvitore të pasdites së hënë. Në programin stërvitor të kuqebluve, përgatitjet do të vijojnë të zhvillohen në Shkodër deri me datë 15 qershor, ndërkohë që më pas, do të ketë një pjesë tjetër të stërvitjes themelore jashtë vendit.

Për këtë, edhe pse është lakuar Bullgaria, një gjë e tillë akoma nuk është vendosur zyrtarisht. Inspektimi që sekretari i përgjithshëm i KF Vllaznia, Blendi Dibra së bashku me drejtorin sportiv Vioresin Sinani, i bënë kampingut bullgar, ka marrë nota pozitive, por zyrtarisht do të vendoset pak ditë më vonë, pasi thuhet se ka edhe një pistë tjetër ku mund të instalohet Vllaznia për fazën përgatitore themelore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu